Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar vendimin që ndryshon vlerën e shpronësimit të pronave provate që preken nga zgjerimi i rrugës që lidhe zonën e Currilave me rrugën Aleksandër Goga. Ndryshimet u miratuan me 30 votat e këshilltarëve bashkiakë socialistë dhe 9 vota kundër nga ana e këshilltarëve të Partisë Demokratike. Vendimi parashikon rritjen e fondit të përgjithshëm të shpronësimit nga rreth 249.7 milionë lekë në 268.7 milionë lekë, si dhe përditësimin e listës së pronave dhe planimetrisë së pasurive që preken nga projekti. Këshilltarët e opozitës kundërshtuan llogaritjen e vlerës së pronave, që është larg vlerës së tregut. Sipas tyre, zona e prekur është trajtuar si tokë ullishte dhe arë dhe vlerësimi është bërë duke iu referuar hartës së vlerës së tokës, të miratuar 10 vite më parë. Nga ana tjetër, këshilltarët e shumicës mbështetën projektvendimin, duke argumentuar se vlerësimi i pronave është kryer në përputhje me bazën ligjore në fuqi dhe se administrata ka zbatuar metodologjinë e parashikuar nga aktet ligjore dhe nënligjore për shpronësimet.