Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje në një sërë procedurash prokurimi të Bashkisë së Durrësit, me vlerë rreth 30 milionë euro, duke kërkuar marrjen e masave disiplinore ndaj 15 punonjësve dhe drejtuesve të administratës bashkiake, mes tyre edhe nënkryetarit Gentian Kallmi.
Sipas raportit të auditimit, të publikuar nga SkyWeb, KLSH ka kontrolluar 27 procedura prokurimi, me fond limit të përgjithshëm prej 2.85 miliardë lekësh. Në 10 prej tyre janë konstatuar probleme me kualifikimin e kompanive fituese, të cilat nuk kishin dokumentuar përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara në dokumentet e tenderëve.
Pavarësisht mangësive, Komisionet e Vlerësimit të Ofertave i kanë konsideruar këto kompani të kualifikuara, duke u hapur rrugën për fitimin e kontratave. Sipas KLSH-së, veprimet bien ndesh me ligjin për prokurimin publik dhe cenojnë konkurrencën, transparencën dhe trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Probleme janë konstatuar edhe në hartimin e kritereve të tenderëve. Në shtatë nga 27 procedurat e audituara, KLSH ka evidentuar kushte kualifikimi të paargumentuara, joproporcionale ose që nuk përputheshin me objektin e kontratave.
Në listën e procedurave të kontrolluara përfshihen tendera për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në Vadardh të Sukthit, me fond limit 268.8 milionë lekë, shkollën “Met Hasa”, me 241.9 milionë lekë, si dhe ndërhyrje për forcimin strukturor të pallateve në Durrës.
Vëmendje të veçantë audituesit i kanë kushtuar edhe tenderit për rehabilitimin e shëtitores “Taulantia”. Në këtë procedurë, një prej kompanive të bashkimit fitues nuk dispononte licencën e kërkuar për kategorinë përkatëse të punimeve. Gjithashtu, personeli dhe mjetet e deklaruara rezultonin të angazhuara edhe në një kontratë tjetër.
Mes personave për të cilët kërkohen masa disiplinore është edhe nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi, i cili ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
KLSH kërkon që Bashkia të shqyrtojë përgjegjësitë individuale dhe të nisë procedurat përkatëse disiplinore, ku masat mund të variojnë nga vërejtja deri në largimin nga puna, në varësi të shkeljeve të konstatuara.
Në total, rekomandimet për masa disiplinore përfshijnë 15 punonjës dhe drejtues që janë ende në marrëdhënie pune, ndërsa auditimi ka evidentuar shkelje edhe për 17 ish-punonjës të administratës bashkiake. KLSH sqaron se konstatimet nuk përbëjnë automatikisht përgjegjësi penale për personat e përfshirë.
Përveç problemeve me tenderat, auditimi ka zbuluar edhe dëme financiare nga zbatimi i kontratave publike. Konkretisht, janë konstatuar diferenca mes volumeve të punimeve të faturuara dhe atyre të realizuara, duke përllogaritur 30.35 milionë lekë dëm ekonomik dhe penalitete kontraktore të paarkëtuara.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre diferencave lidhet me kontratat për riforcimin dhe rikonstruksionin e pallateve në qytetin e Durrësit. Për këto raste, audituesit kanë kërkuar marrjen e masave ligjore për rikuperimin e shumave nga kompanitë përgjegjëse.
Raporti ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike nga Bashkia Durrës, përcaktimin e kritereve të prokurimit dhe përgjegjësinë e strukturave që kanë vlerësuar ofertat dhe shpallur fituesit.


