Vijnë reshjet e para të borës, shkaktojnë kaos në disa pjesë të Norvegjisë

Bora ka mbuluar pjesë të mëdha të Norvegjisë, duke sjellë kaos nëpër qytete: nga ndërprerjet në transportin publik e deri te dëmtimet e automjeteve në rrugë, ndërsa shumë njerëz nuk kanë mundur të mbërrijnë në destinacionet e tyre.
Të martën, meteorologët paralajmëruan se bora e dimrit po vinte drejt Norvegjisë, me parashikime për deri në 15 centimetra në Norvegjinë Lindore dhe deri në 30 centimetra në veri.
Fillimisht, reshjet e borës ishin parashikuar për zonat e Oslos, Akershus, Østfold, Vestfold dhe pjesët e ulëta të Buskerud-it.
Megjithatë, të enjten në mëngjes, paralajmërimi u zgjerua edhe për zona të tjera; aktualisht është në fuqi një alarm i verdhë për rajonet Innlandet dhe Hamar.
Të mërkurën u lëshua gjithashtu një paralajmërim i veçantë për borën në pjesë të Norvegjisë Perëndimore.
Dhe siç ndodh shpesh, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, reshjet e para të dendura të borës për këtë sezon kanë shkaktuar probleme në të gjithë vendin.
Autre ambiance hivernale à Oslo en Norvège ce matin où la neige tombait abondamment.Vidéo via @wergelandkunst https://t.co/VcQmoRWnAz
— Meteo60 (@meteo60) November 12, 2026
Shërbimet e transportit publik janë anuluar dhe janë regjistruar shumë aksidente rrugore, përfshirë raste kur automjetet kanë rrëshqitur jashtë rrugëve të ngrira.
"Është gjithmonë befasuese se sa pak borë mjafton për të shkaktuar probleme. Me reshjet e para të borës krijohet gjithmonë kaos", u shpreh meteorologia Hanne Beate Skattør nga Instituti Meteorologjik Norvegjez, sipas gazetës Aftenposten.
"Po marrim njoftime të shumta për rrëshqitje, aksidente trafiku dhe kushte të vështira për drejtimin e automjeteve për shkak të reshjeve të fundit të borës", shkroi në raportin policor Per Magne Eftang, menaxher operacionesh në Distriktin Policor të Juglindjes, pak para orës 08:00 të mëngjesit, siç raportohet në një tjetër artikull të së njëjtës gazetë.
"Reshjet e borës ndryshojnë kushtet e drejtimit, duke ndikuar në kapjen e gomave me rrugën dhe në distancën e frenimit. Planifikoni më shumë kohë se zakonisht për të shkuar në punë apo në takime të ndryshme. Drejtojeni automjetin duke pasur parasysh kushtet e rrugës dhe mbani distancë të sigurt nga automjeti që keni përpara", shtoi ai.
Me rënien e fluskave të para të borës në Oslo në orën 05:30 të mëngjesit, kryeqyteti u përball me vonesa në transportin publik dhe çrregullime në trafik.
Snowwwwwww ⛄️
— Volcaholic 🌋 (@volcaholic1) November 12, 2026
Sipas gazetës VG, mbi 1 000 nisje autobusësh pësuan vonesa, ndërsa 65 për qind e linjave të autobusëve në zonë u anuluan.
Policia e Oslos mori gjithashtu disa njoftime për pemë të rrëzuara që kanë dëmtuar makina të parkuara.
Në autostradën E6, në zonën e Skulleruddumpa-s, dy kamionë mbetën të bllokuar.
"Njëri është i drejtuar jashtë Oslos, ndërsa tjetri drejt Oslos. Kjo po shkakton probleme në trafik në atë vend", njoftoi më tej policia.
Moti me borë ndikoi edhe në Aeroportin e Oslos, duke shkaktuar vonesa të shumta, ndonëse stafi i operatorit të aeroportit, Avinor, deklaroi se po punonte intensivisht për pastrimin e pistave. /Telegrafi/



































