“Shqiptarët janë të bukur, krenaria u ka hije”, a është forcë apo dobësi të kërkosh falje, çfarë po ndodh me brezat

Krenaria, është forcë apo dobësi? Kjo është pyetja që ndan në mes mendimet dhe opinionet e shumë personave.
Kjo temë u diskutua edhe pasditen e sotme në emisionin “Takohemi n’Vizion” me Fjodora Fjorën, që ndau në dysh panelin.
Piktori dhe pedagogu Oltsen Gripshi ishte i mendimit që shqiptarëve u ka hije krenaria.
“Bota e artistëve është më e ashpër, më vrastare. Artistët aty ku puqen e buzëqeshin, aty edhe thikat janë me maja të mprehta, pas shpine por edhe përballë. Egoja është motori lëvizës për të ecur përpara dhe për ti dhënë shkëlqim. Por egoja shndërrohet në makth për tjetrin. Kur shkel territorin e tjetrit është një problem social, kulturor dhe antropologjik.
Ne nuk kemi asgjë më tepër ose më pak se të tjerët. Unë kam jetuar jashtë dhe kur kthehesha në Shqipëri prekja vlera të familjes. Mendoj që këtu evidentohet shprehja “frika ruaj vreshtin”. Shqiptarët janë popull i bukur dhe krenaria tek shqiptarët ka hije”, tha Gripshi.
Për aktivisten rinore, Aida Turku krenaria është një tipar njerëzor që e kanë të gjithë, ndërsa shton se kjo gjë nuk duhet të kalojë limitet, aq sa mund të shkatërroj çdo lidhje që është ndërtuar më herët.
“Të falësh është hyjone, të gabosh është njerëzore. Krenaria është tipar njerëzor që duhet ta ketë çdokush. Por duhet të jemi edhe racional dhe empatik. Nëse dikush ka bërë një gabim, duhet ulur pak “hunda”. Nëse ne nuk duam të jemi akull të ftohtë, mos humbim lidhjet dhe mos shkatërrojmë çfarë kemi ndërtuar. Mund të humbim mundësi të shumta duke mos kërkuar falje. Apo edhe dashurinë e jetës. Unë jam me shumë dinjitet dhe krenare, por edhe me këmbë në tokë për ato që kam gabim. Unë jam impulsive, por mundohem edhe të ulem dhe të diskutoj me të tjerët”, tha aktivistja.
Mirgit Vataj, punonjës social tha: “Ndonjë herë kërkoj faje që të zbusë situatën dhe më pas i hap rrugën argumentit”.
Por çfarë mendon ekspertja e edukimit Ana Llazo për krenarinë?
“Unë ndihem krenare për veten dhe çfarë kam arritur deri më sot. Gjithmona ja sugjeroj edhe të rinjve të ndihen krenar për gjërat që bëjnë më së miri. Thjeshtësia ndihmon për të treguar më mirë krenarinë. Brezi i ri ka shumë arsye për të qenë krenar. Ndonjë herë kjo egoja që është pak e tejkaluar ekziston tek mosha mbi 20 vjeç. Kur kalon cakun, edhe në marrëdhëni personale, është problem”, tha Llazo.
Joan Ndreu, student, tha se brezi i Gen Z e ka parësore krenarinë.
“Gen Z krenarinë e ka parësore. Krenaria nuk na takon vetëm ne. Që në familje, kemi shtysë që të jemi krenar për veten.
Unë nuk kërkoj falje. Jam natyrë e ftohtë dhe nuk bëj gjëra që të shkoj e të kërkoj falje”, tha ai.



