Pas dorëheqjes së Jensen Huag, Nvidia kërkon drejtuesin e ri, emrat në listën e pasuesve të mundshëm
Një aksident i rëndë automobilistik ka tronditur Emiratet e Bashkuara Arabe, ku 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një përplasjeje masive me 23 automjete në qytetin e Fujairah.
Sipas Ministrisë së Brendshme, aksidenti ndodhi pak para mesnatës, në hyrje të emiratit lindor, në një moment kur trafiku ishte i ngadalësuar, raporton BBC.
Ngjarja u shkaktua pasi drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur fillimisht me një automjet tjetër. Kamioni më pas u përmbys dhe goditi disa automjete të tjera që ndodheshin në rrugë.
Përplasja përfshiu gjithsej 23 automjete, mes tyre pesë kamionë. Pas goditjes, kamioni mori flakë dhe zjarri u përhap me shpejtësi edhe në automjetet e tjera, duke shkaktuar një tragjedi me pasoja të rënda.
Policia e Fujairah bëri të ditur se 30 persona u plagosën dhe u transportuan në spital. Gjysma e tyre janë liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa të tjerët vijojnë të marrin trajtim. Autoritetet kanë konfirmuar se viktimat dhe të plagosurit i përkasin disa kombësive, përfshirë atë emiratase, omane, indiane, braziliane, pakistaneze, jordaneze dhe egjiptiane.
Konsullata indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe konfirmoi se mes viktimave ka edhe shtetas indianë, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjet e prekura dhe bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet lokale për t’u ofruar ndihmë.
Për shkak të gjendjes së rëndë të disa trupave, autoritetet po përdorin analizat e ADN-së për identifikimin e viktimave. Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, ekipet mjekësore dhe shërbimet e mbrojtjes civile, të cilat ndërhynë për shuarjen e zjarrit, shpëtimin e të plagosurve dhe sigurimin e zonës.
Top Channel