Shqiptari që luante Bayern hap zemrën: Njerëzit mendonin se fitoja miliona, por realiteti ishte ndryshe

Futbolli profesionist nuk përbëhet vetëm nga kontrata të majme, famë dhe suksese në fushën e lojës. Pas shkëlqimit që shohin tifozët, shumë futbollistë përballen me presion të madh psikologjik, pasiguri për të ardhmen dhe vështirësi personale që rrallë bëhen publike. Një rrëfim të tillë ka ndarë edhe Leon Dajaku, futbollisti me origjinë shqiptare që në të kaluarën ishte pjesë e Bayern Munich.
Në një intervistë për “HSTRYSTORIES”, sulmuesi 25-vjeçar, i cili aktualisht aktivizohet me Hansa Rostock në kategorinë e tretë të futbollit gjerman, ka folur për eksperiencën e tij te gjigantët bavarezë, raportin me paratë dhe periudhat e vështira që ka kaluar gjatë karrierës.
Dajaku u transferua te Bayern Munich në moshë të re, në një marrëveshje që kapte vlerën e rreth 1.5 milionë eurove. Megjithatë, kalimi në një ambient ku ndodheshin disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror nuk ishte i lehtë për të.
Ai kujton emocionet e ditës së parë në dhomat e zhveshjes, ku përballë kishte emra që deri atëherë i kishte ndjekur vetëm në televizor, mes tyre edhe sulmuesin polak Robert Lewandowski.
“Kur hyra për herë të parë në dhomat e zhveshjes, përballë kisha lojtarë që deri atëherë i njihja vetëm nga televizioni. Për shembull, kisha Lewandowskin përballë dhe, sinqerisht, nuk dija as si ta përshëndesja. Ndihesha i intimiduar, edhe pse gjithmonë kam pasur besim te aftësitë e mia”, rrëfeu futbollisti.
Një tjetër detaj interesant që ai zbuloi lidhet me pagën që përfitonte gjatë kohës te Bayern. Pavarësisht shifrës së konsiderueshme që klubi kishte paguar për kartonin e tij, të ardhurat personale ishin shumë larg atyre që imagjinonte publiku.
“Bayerni pagoi 1.5 milionë euro për transferimin tim, por njerëzit mendonin se përfitoja shuma marramendëse. Në realitet, paga ime ishte rreth 10 mijë euro në muaj, jo 60 mijë apo shifra të tilla”, tregoi Dajaku.
Më vonë, karriera e tij mori një tjetër kthesë, kur në tryezë mbërriti një ofertë nga Dubai. Bëhej fjalë për një kontratë me pagë prej 60 mijë eurosh neto në muaj, një shifër dukshëm më e lartë se ajo që kishte përfituar në Mynih.
Por vendimi për të pranuar këtë mundësi nuk lidhej vetëm me aspektin financiar. Në atë periudhë, Dajaku sapo ishte bërë baba dhe ndodhej përballë rrezikut për të mbetur pa skuadër.
“Më ofruan 60 mijë euro neto në muaj. Sapo isha bërë baba dhe rrezikoja të mbetesha pa klub. Mendova se ishte më mirë ta pranoja ofertën për disa muaj, sesa të mbetesha pa ekip”, zbuloi ai.
Rrëfimi më prekës i futbollistit lidhet me ndikimin që presioni profesional kishte në jetën e tij familjare. Dajaku pranoi se kishte kaluar momente kur ngarkesa emocionale ishte aq e madhe, saqë nuk arrinte të shkëputej menjëherë nga problemet e futbollit edhe pasi largohej nga stërvitja apo ndeshjet.
Ai tregoi se ndonjëherë, pasi mbërrinte në shtëpi, qëndronte për orë të tëra në makinë, duke u përpjekur të qetësohej përpara se të takohej me bashkëshorten dhe vajzën.
“Kur kthehesha në shtëpi, ndonjëherë qëndroja edhe dy orë në veturë. Më duhej të qetësohesha dhe të mblidhja veten, sepse nuk doja t’ia përcillja gjendjen time emocionale bashkëshortes dhe vajzës”, rrëfeu 25-vjeçari.
Dajaku ka qenë edhe në radarët e Kombëtares shqiptare. Në vitin 2020, u raportua për interesimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për ta afruar në përfaqësuese, por ai vendosi të vazhdonte rrugëtimin me Gjermaninë në ekipet e moshave. Megjithatë, nuk arriti të luante me kombëtaren A të Gjermanisë.
Aktualisht, sulmuesi vijon karrierën te Hansa Rostock, ndërsa rrëfimi i tij sjell në vëmendje një realitet që shpesh mbetet i fshehur pas imazhit të futbollistit profesionist.
Historia e Leon Dajakut tregon se pas fanellave të klubeve të mëdha dhe kontratave të lakmuara mund të fshihen beteja të vështira personale, ku presioni, pasiguria dhe përgjegjësitë familjare peshojnë po aq sa sfidat në fushën e blertë.




