Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës për Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Arlind Kajoshin, të akuzuar për dhunimin e 64-vjeçarit Vladimir Bruçi pas një konflikti për një vend parkimi në vitin 2024.
Prokuroria e Shkodrës kishte kërkuar për tre të pandehurit dënime që arrinin në total 24 vite burg, por Gjykata e Apelit vendosi të mos pranonte ankimin e organit të akuzës, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Tre të pandehurit ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Shkallës së Parë vetëm për veprën penale të “prishjes së qetësisë publike”. Megjithatë, ata përfitojnë nga ligji për amnistinë, çka ka sjellë pushimin e çështjes në zbatim të ligjit nr. 57/2026 “Për Dhënie Amnistie”.
Ngjarja për të cilën u gjykuan tre të pandehurit ndodhi më 3 qershor 2024, në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku Vladimir Bruçi u dhunua me sende të forta pas një debati për një vend parkimi. Sipas raportimeve të mediave, në konflikt u përfshinë gjashtë persona.
Dy vite më vonë, më 20 gusht 2026, Bruçi mbeti sërish viktimë e një ngjarjeje të dhunshme, këtë herë i plagosur me armë zjarri pranë banesës së tij, po në lagjen “Rus”.
70-vjeçari Pjerin Bitani, fqinj i Bruçit, qëlloi dy herë me pistoletë, duke e plagosur në këmbë. Konflikti kishte nisur për kamerat e sigurisë të vendosura në zonën e parkimit të Bruçit, pasi Bitani pretendonte se ato monitoronin lokalin e tij.
Bruçi i shpëtoi sulmit, ndërsa Bitani u vetëdorëzua më pas në polici.









Komente
Komento