Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas përplasjes verbale mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe gazetares Klodiana Lala, e ndodhur këtë të enjte jashtë ambienteve të SPAK.
Përmes një deklarate publike, AGSH dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryedemokrati ndaj gazetares, pas pyetjeve që kjo e fundit i drejtoi lidhur me kallëzimin për gjyqtaren Irena Gjoka.
Gjatë komunikimit me mediat, Berisha reagoi ashpër ndaj Lalës, duke e akuzuar se hiqet si informatore dhe duke vënë në pikëpyetje burimet e saj të informacionit. Pavarësisht se gazetarja i kujtoi se detyra e saj është të informojë publikun, kreu i PD-së vijoi me komentet personale, duke e cilësuar atë si person të keqpërdorur.
AGSH thekson se kundërshtimi i raportimeve mediatike nuk mund të përdoret si justifikim për sulme personale apo për diskreditimin e gazetarëve. Sipas Asociacionit, deklarata të tilla, veçanërisht kur vijnë nga figura të larta politike, rrezikojnë të nxisin armiqësi ndaj medias dhe të krijojnë klimë frikësuese për ushtrimin e profesionit.
Në përfundim, AGSH shpreh solidaritet të plotë me Klodiana Lalën dhe i kërkon Sali Berishës të tërheqë deklaratat e tij dhe të kërkojë falje.
Reagimi i AGSH:
AGSH dënon gjuhën denigruese të Sali Berishës ndaj gazetares Klodiana Lala
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin dhe dënon gjuhën denigruese të përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj gazetares Klodiana Lala.
Deklaratat e Berishës, përbëjnë sulme personale që cenojnë dinjitetin profesional të gazetares dhe nuk kontribuojnë në një debat publik të përgjegjshëm.
AGSH thekson se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëhen objekt i sulmeve personale, etiketimit apo diskreditimit publik për shkak të pyetjeve që shtrojnë, informacioneve që publikojnë apo mënyrës se si ushtrojnë profesionin e tyre.
Çdo politikan, përfshirë drejtuesit e opozitës, ka të drejtën të kundërshtojë raportimet mediatike, të kritikojë përmbajtjen e tyre dhe të kërkojë korrigjimin e pasaktësive. Megjithatë, kjo e drejtë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të sulmuar personalisht gazetarët apo për të vënë në dyshim integritetin e tyre profesional përmes akuzave të pambështetura në fakte.
AGSH vlerëson se një gjuhë e tillë, veçanërisht kur përdoret nga figura me ndikim të lartë politik, rrezikon të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, të minojë besimin publik te media dhe të krijojë një klimë frikësuese për ushtrimin e lirë të profesionit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Klodiana Lala dhe u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë, pa dallim, të respektojnë dinjitetin dhe pavarësinë e gazetarëve.
Me i bëjmë thirrje kreut të PD të tërhiqet nga këto deklarata dhe të kërkojë falje.












