Sezon dimëror i paparashikueshëm, meteorologët paralajmërojnë luhatje të forta të temperaturave

Një përplasje e pazakontë forcash atmosferike po zhvillohet aktualisht mbi Hemisferën Veriore, duke vënë përballë shpërbërjen më të hershme të regjistruar ndonjëherë të vorbullës polare me ndikimin e një fenomeni “El Niño” historikisht të fortë. Kjo dinamikë e rrallë ka vënë në lëvizje meteorologët, të cilët po ndjekin me vëmendje se cila prej këtyre forcave do të mbizotërojë në formësimin e motit të këtij dimri.
Vorbulla polare përbën një brez erërash të forta rreth 10 deri në 30 milje lart në stratosferë, funksioni i të cilit është të mbajë të mbyllur ajrin e ftohtë rreth Polit të Veriut. Megjithatë, javët e fundit ajo është dobësuar ndjeshëm si pasojë e një ngrohjeje të papritur stratosferike, çka ka bërë që erërat të kthehen në drejtim të kundërt dhe të lejojnë zbritjen e masave ajrore arktike drejt jugut.
Sipas Andrea Lopez Lang, meteorologe në Universitetin e Wisconsin-Madison, “ky vit është jashtëzakonisht unik”, pasi ngjarje të tilla zakonisht ndodhin mes janarit dhe marsit, ndërsa rekordi i mëparshëm i hershmërisë ishte shënuar më 28 nëntor (në vitet 1968 dhe 2025). Shkaqet e kësaj përçarjeje të hershme mbeten ende objekt studimi. Simon Lee, shkencëtar atmosferik në Universitetin e St Andrews, vëren se ndonëse disa studime e lidhin “El Niño”-n me dobësimin e vorbullës, “nuk jemi ende të sigurt”. Për Lopez Lang, kjo situatë bën që “ngjarjet tona historike të mos kapin atë që po ndodh në të vërtetë”.
“Shija e parë e dimrit” dhe paralajmërimet për dhjetorin
Efektet e para të kësaj lëvizjeje atmosferike po ndihen tashmë këtë javë, me një valë të ftohti që ka përfshirë pjesë të Shteteve të Bashkuara Lindore dhe Evropës Veriperëndimore, duke sjellë ngricat e para të sezonit pas një vjeshte relativisht të ngrohtë. Në SHBA, temperaturat pritet të bien 7 deri në 14 gradë Fahrenheit nën mesataret e mesit të nëntorit, ndërsa një rënie e ngjashme prek edhe veriun e Evropës.
Ndonëse kjo valë pritet të jetë kalimtare dhe temperaturat më të larta do të rikthehen javën e ardhshme, ekspertët paralajmërojnë se ky mund të jetë vetëm fillimi. Judah Cohen, klimatolog në MIT, e cilëson këtë javë thjesht si “aperitivin”, duke shtuar se “pjata kryesore” me ndikim më të madh pritet në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit, kohë që u duhet efekteve stratosferike për të zbritur në sipërfaqe.
Faktori “El Niño” dhe ngrohja globale
Përballë ajrit arktik qëndron “El Niño”, i cili zakonisht nxit temperatura globale më të larta. Lopez Lang e përshkruan atë si “ngacmuesin e madh që e shtyn atmosferën në një drejtim të caktuar”, duke vlerësuar se ndikimi i tij mund të zbusë ekstremet e të ftohtit. Këtë qasje e mbështet edhe Amy Butler, fizikante kërkimore në NOAA, e cila parashikon “mundësi më të lartë të temperaturave të ngrohta në gjysmën veriore të SHBA-së” gjatë muajit të ardhshëm.
Megjithatë, në komunitetin shkencor ka edhe pikëpamje të tjera. Klimatologu Cohen hedh poshtë idenë se “El Niño është një lloj treni mallrash i pakontrolluar dhe asgjë nuk do ta pengojë”, duke argumentuar se prania e ajrit të ftohtë do të varet drejtpërdrejt nga sjellja e vorbullës polare. Ndërkohë, Jason Furtado, profesor i asociuar i meteorologjisë në Universitetin e Oklahomës, rikujton edhe rolin e ngrohjes globale, e cila i bën dimrat mesatarisht më të ngrohtë se dekada më parë, çka do të thotë se “gjithçka është relative kur flasim për ndonjë shpërthim të mundshëm të ajrit të ftohtë”.
Një “eksperiment atmosferik” në zhvillim
Sipas parashikimeve të NOAA-s, vorbulla polare pritet të riformohet dhe të forcohet sërish pas kësaj ngjarjeje, çka lë të kuptohet se përçarja aktuale “mund të mos ketë shumë qëndrueshmëri”. Megjithatë, meteorologët nuk përjashtojnë mundësinë e një shpërbërjeje të dytë më vonë gjatë sezonit, e cila mund të kishte pasoja më të forta.
Për shkencëtarët, ky dimër po kthehet në një laborator natyror për të kuptuar ndërveprimin e këtyre dy fenomeneve madhore. Siç përfundon meteorologia Lopez Lang: “Atmosfera po përgatitet të jetë një eksperiment. Mendoj se do të jetë vërtet emocionuese për t’u parë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




