Era e fortë dhe deti i dallgëzuar kanë detyruar Autoritetin Portual të Durrësit të pezullojë lundrimin ndërmjet portit të Durrësit dhe portit italian të Barit, duke bërë që nisjet e trageteve të parashikuara për mbrëmjen e së enjtes të shtyhen me rreth 10 orë. Tragetet që do të niseshin në orën 22:00 do të largohen mëngjesin e 13 nëntorit, në orën 08:00, njofton Autoriteti Portual i Durrësit.
Udhëtarët janë informuar për ndryshimin e orarit, por sipas tyre informacioni mbi kohën e nisjes mbetet i pakët. Një udhëtar italian tha: “Kur erdha në Shqipëri, gjithçka shkoi mirë, pa probleme. Tani nuk e di, thonë se ka vonesë, por shpresoj të mbërrijë të paktën në kohë në Itali.” Megjithatë, procedurat e imbarkimit për pasagjerët dhe automjetet kanë vijuar normalisht, ndërsa dy tragetet e linjës do të qëndrojnë të gatshme dhe udhëtarët do të kalojnë orët e pritjes brenda tyre.
Nisja e trageteve do të bëhet vetëm kur kushtet në det të lejojnë lundrim të sigurt, theksojnë autoritetet, duke vënë theksin tek kërkesa për sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Ndërkohë, përvec lundrimit të trageteve, autoritetet detare kanë pezulluar edhe daljen në det të anijeve të peshkimit deri në përmirësimin e motit, një masë që synon të parandalojë rreziqet për peshkatarët dhe flotën vendore.
Situata mbetet e varur nga kushte atmosferike dhe vendimi për nisjet do të rishikohet në përputhje me përmirësimin e motit dhe gjendjen e detit. Udhëtarët dhe operatorët e linjës do të vazhdojnë të marrin njoftime zyrtare nga Autoriteti Portual për çdo ndryshim të mëtejshëm të orarit.

