Rregulla të reja për barazinë gjinore në tregun e punës, pagat dhe mbrojtjen nga ngacmimet

Sociale | 9 minuta më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të posaçëm që përcakton mënyrat, format dhe fushat konkrete të bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e parimit të barazisë gjinore në fushën e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.

Ky vendim, i propozuar nga ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në zbatim të ligjit “Për barazinë gjinore”, synon të krijojë një mekanizëm të koordinuar mes institucioneve të varësisë dhe ministrive të linjës për “parandalimin dhe eliminimin e diskriminimit gjinor, të drejtpërdrejtë e të tërthortë, si dhe të diskriminimit të shumëfishtë e të ndërthurur në marrëdhëniet e punës”.

Nga barazia në paga te luftimi i stereotipeve

Sipas vendimit, ndërhyrja e koordinuar e shtetit do të shtrihet në njëmbëdhjetë fusha kryesore, ku spikasin “barazia në paga dhe trajtimi i barabartë në shpërblim”, si dhe “balanca ndërmjet jetës profesionale dhe jetës familjare”.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë dhe dinjitetit në ambientet profesionale, duke parashikuar masa konkrete për “parandalimin dhe adresimin e diskriminimit, dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në vendin e punës”. Paralelisht, vendimi synon “nxitjen e sipërmarrjes, e vetëpunësimit dhe e fuqizimit ekonomik të grave dhe vajzave”, si dhe “luftimin e stereotipeve gjinore në arsim dhe formim profesional”.

Roli i Inspektoratit të Punës dhe Agjencive të Punësimit

Dokumenti ndan përgjegjësi të qarta për secilin institucion ekzekutiv.

Inspektorati Qendror i Punës ngarkohet me kontrolle të dedikuara për “identifikimin e rasteve të përqendrimit të njërës gjini në vende pune me paga më të ulëta ose në punësim informal”, si dhe për verifikimin e zbatimit të detyrimeve për “barazinë në paga për punë të njëjtë ose punë me vlerë të barabartë”.

Po ashtu, inspektorët do të kontrollojnë respektimin e masave kundër ngacmimit seksual dhe zbatimin e kontratave kolektive në bashkëpunim me sindikatat dhe dhomat e tregtisë.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) do të zbatojë programe aktive me ndjeshmëri gjinore, do të monitorojë trajtimin e barabartë në shërbimet e punësimit dhe mbështetjen me të ardhura nga papunësia, si dhe do të bashkëpunojë me organizatat jofitimprurëse për integrimin e grave nga grupet e disavantazhuara.

Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) do të rishikojë kurrikulat dhe materialet mësimore në mënyrë që të jenë “pa stereotipe gjinore”, duke nxitur pjesëmarrjen e vajzave dhe grave edhe në “kualifikimet e dominuara tradicionalisht nga njëra gjini”.

Sigurimet shoqërore dhe raportimi vjetor

Vendimi përfshin gjithashtu Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), të cilët do të punojnë për garantimin e trajtimit të barabartë në skemat e pensioneve dhe nxitjen e përfshirjes së grave dhe burrave të punësuar në “bizneset familjare përfshirë ato në bujqësi”.

Për të siguruar zbatimin praktik dhe llogaridhënien, vendimi parashikon ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës dhe mbledhje të detyrueshme, “jo më pak se një herë në vit”, mes Këshillit Kombëtar të Punës dhe Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore. Në fillim të çdo viti kalendarik, institucioneve do t’u përcillen rekomandime specifike, ndërsa në fund të vitit ato do të jenë të detyruara të raportojnë mbi rezultatet e arritura.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ministritë e linjës dhe të gjitha agjencitë e lartpërmendura.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme