Asambleja e Partisë Socialiste pritet të shoqërohet me zhvillime të rëndësishme politike, nga riorganizimi i drejtuesve politikë në qarqe deri te mundësia e ndryshimeve në kabinetin qeveritar.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka zbardhur në emisionin “Top Story” disa nga skenarët që pritet të shqyrtojë kryeministri Edi Rama, përfshirë kandidaturat e mundshme për bashkitë Tiranë dhe Shkodër, si dhe qëndrimin ndaj çështjes së Erion Veliajt.
“Në këtë asamble pritet që Rama të dublojë drejtuesit politikë nga 12 në 24. Rama mendon se ka gjetur dy kandidatura të përshtatshme sa i përket Tiranës dhe Shkodrës. Mund të kemi edhe dy ministra që do të sakrifikojnë për të lënë postet për kryebashkiak.
Diskutohet për Ervin Demon për Tiranën dhe Enea Karakaçi mund të kandidojë në Shkodër në një duel me Kliti Hotin. Socialistët presin me interes nëse Rama do të thotë diçka në lidhje me problemin me Veliajn, dihet varianti i Gogut, por asnjë version të Ramës dhe një qëndrim të tij. Ato çka Erion Veliaj do të donte t’ia thoshte Asamblesë mund t’i kemi përmes një letre të gjatë.
Mbetet për tu parë edhe nëse do të ketë lëvizje në kabinet, gjithçka është e hapur, 10:30 në Gjirin e Lalëzit, ku zhurmës së dallgëve mund t’i shtohet edhe ajo e vendimeve të Ramës. Është ende hapur për të folur për përjashtime, por mendoj se Ramës nuk do t’i leverdiste të avanconte këtë front të hapur me Veliajn. Në funksion të zgjedhjeve Rama kërkon të forcojë radhët e tij për të fituar zgjedhjet e 9 majit”, u shpreh Veliu.
Top Channel
