Akuzat ndaj Ramës, debat në studio/ Gjinishi: Veliaj është gënjeshtar, po mban peng Bashkinë. Ndreca: E delegoi 18 muaj

Analisti Ermir Gjinishi dhe avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, kanë debatuar mes tyre sa u përket akuzave të kryebashkiakut ndaj kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus të Ylli Rakipit, analisti Gjinishi tha se nuk ka asgjë të vërtetë në akuzat e Veliajt. Sipas tij, Veliaj nuk është i persekutuar politikisht, por po akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Më tej, Gjinishi tha se të gjithë këtë Veliaj po e bën për të mbajtur Bashkinë e Tiranës, duke vijuar të mbajë peng edhe qytetarët.
Por, për avokatin Ndreca, Veliaj ia delegoi për 18 muaj Bashkinë Edi Ramës.
Pjesë nga biseda:
Gjinishi: Nuk jam dakord me idenë që Veliaj është i persekutuar politikisht. Nuk mund të bëjmë një balancë mes sjelljes së zotit Rama dhe shkeljes së zotit Gogu, por kaq është, nuk shkon dot më tej. Veliaj vetëm prej dy javësh thotë se është i persekutuar politikisht.
Veliaj është i akuzuar për korrupsion, pabarazi tenderash, pastrim parash. Nuk ka shkuar në burg se është zënë me Ramën. Përplasjen e zotit Veliaj me Ramën nuk duhet ta shohim si viktimë politike.
Qëllimi i kësaj është Bashkia, kush do ta kontrollojë politikisht. A mund ta diskutojmë ndryshe këtë histori? Avokati ka të drejtë të flasë për konceptin. Kryetari i Bashkisë është në burg, jemi para zgjedhjeve. Si e drejton bashkinë ky njeri? A nuk ka mundësi të ndahet përgjegjësia juridike nga ajo publike? Nëse PS e ka sjellë aty, i kërkon të japë dorëheqjen. Duhet të japë dorëheqjen, mo zotëri! Nuk mund ta mbajë peng bashkinë. Ai zotëri ka përgjegjësi para qytetarëve të Tiranës.
Ndreca: Ja la kryeministrit.
Gjinishi: Kush ia la kryeministrit?
Ndreca: Për 18 muaj ia delegoi.
Rakipi: Pse po e mban peng Bashkinë e Tiranës?
Gjinishi: Ideja që Veliaj është i persekutuar politikisht nuk qëndron fare. Ai është pjellë e Ramës. Dy njerëz fliten për korrupsion, kryeministri dhe Veliaj. Është njeriu që ka gënjyer pafundësisht.
Ndreca: Ky është opinion politik.
Gjinishi: A erdhi ky njeri me premtimin se nuk do të derdhte asnjë centimetër beton? E betonizoi sapo erdhi.
Ndreca: Mori 160 mijë vota, pra.
Gjinishi: Jo, jo, 160 mijë vota mori PS-ja. Kur kandidoi me G99, nuk mori asnjë deputet.
Ndreca: 160 mijë i ka marrë Erioni, sepse PS-ja mori 140 mijë. E ka fituar me PS-në, pa diskutim.
Gjinishi: Kjo është hipokrizia, se kur PS-ja të nxjerr kryetar partie, është i mirë Rama.
Ndreca: Pse e njëson partinë me kryetarin?
Gjinishi: Veliaj është shumë interesant. Debatin Rama-Veliaj, Erioni kërkon ta çojë në parti. Ajo që mua nuk më pëlqen është viktimizimi i zotit Veliaj. Të nxjerrësh viktimë një njeri që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, e të merremi me çështjen se ky po vuan në Fier, kjo është e tepërt. Ky njeri është krahu i djathtë i Edi Ramës, të cilin sot e akuzon për mungesë meritokracie. Ky njeri është pjesë e krijimit të këtij sistemi.
Ndreca: Le të themi se është ashtu siç thotë zotëria, që Veliaj është pjesë e arkitekturës. Udhëheqës i partisë nuk ka qenë Veliaj, por zoti Rama.
Lala: Pra, është bashkëfajtor?
Ndreca: Jo.
Gjinishi: Nuk thashë atë, janë të dy njëlloj, thashë.
Ndreca: Le të themi se këtu ka diskutim, është ashtu siç thua ti. Bashkëpunëtor po, por bashkëfajësia nuk është e njëjtë.
Gjinishi: Nuk thashë që është bashkëpërgjegjës. Por ky njeri ka qenë dakord me këtë Edi Ramë, me këtë sistem, ndërsa tani kërkon demokraci. Këta janë farsë, mo!
Ndreca: E paske personale.
Gjinishi: Jo, se kam personale.
Ndreca: Po ti shkon ke ZH-ja, mo. Duket unë më i qetë sesa ti. Unë po përpiqem të bëj një mbrojtje edhe politike. Ai njeriu është në paraburgim. Patjetër që ka qenë dakord, edhe 800 mijë shqiptarë të tjerë kanë qenë dakord, por kjo nuk do të thotë që në një moment edhe ti të mos japësh objeksionet e tua politike.




