Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Gjykata Kushtetuese dorëzohet

VIDEO/ Artan Hoxha ngre pikëpyetje për dosjen e SPAK: Kush organizoi dhe ekzekutoi vrasjet e Vajdin Lamës dhe Artan Arsit?

21:36, 12/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka ngritur pikëpyetje mbi hetimin e vrasjeve të Klodian Saliut, Vajdin Lamës dhe Artan Arsit, duke vënë në diskutim disa prej elementeve mbi të cilat SPAK ka ndërtuar akuzën.

Duke u ndalur te vrasja e Klodian Saliut, Hoxha vuri në dyshim versionin sipas të cilit një person i caktuar ndodhej në timonin e makinës nga e cila u krye atentati. Ai solli në vëmendje përmasat e automjetit dhe fizikun e personit, duke iu referuar edhe një bisede të zhvilluar më herët gjatë një interviste.

Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje për përdorimin e dy automatikëve dhe mundësinë që Klodian Saliu të kundërvepronte, duke theksuar se kjo është narrativa e ndërtuar nga SPAK-u.

Hoxha u ndal edhe te koha kur rifilloi procesi hetimor, në vitin 2020, gati 16 vjet pas ngjarjes. Sipas tij, në atë moment nuk kishte një bashkëpunëtor bindës, i cili të ishte një prej ekzekutorëve të vërtetë të ngjarjes.

‘Në rastin e parë, bëhet fjalë për personin që ndodhet në makinën me të cilën u krye vrasja e Klodian Saliut. Klodian Saliu është vrarë në autostradë, në rrugën Durrës-Maminas, teksa po vinte drejt Tiranës. Ka qenë një makinë e vogël, ndërsa ky person është fizikisht i gjatë, me trup të madh. Kur e kam pyetur njëherë për këtë, gjatë një interviste, në atë kohë më tha: ‘Mirë, ka qenë ky në timon, po ne ku ishim? Se, po të ishte ky në timon, s’kishte vend për ne të tjerët’.

Përveç kësaj, janë edhe dy automatikë që do të qëllonin. Ndaj kujt? Të gjithë e dinë se Klodian Saliu ishte një njeri që, po t’i jepej pak kohë, mund të kundërvepronte. Ishte shumë i shpejtë. Gjithsesi, kjo është narrativa që ka ndërtuar SPAK-u.

Unë besoj se u shpreha qartë në pjesën e parë, kur thashë se si nisi ky proces. Pra, ai nisi në vitin 2020, gati 16 vjet pasi kishte ndodhur ngjarja, pa pasur një bashkëpunëtor bindës, një nga ekzekutorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

Pika tjetër është përfshirja e agjencive të huaja në hetimin fillestar. Pse u përfshi FBI-ja në këtë hetim? U përfshi sepse nuk bëhej fjalë thjesht për një çështje të rëndomtë, për një larje hesapesh shqiptare. Sipas tyre, ishte një çështje pak më e ndërlikuar se kaq.

Më pas, fakti që nuk u arrit të provohej dhe që edhe sot nuk e kemi të qartë se kush e organizoi, kush dha urdhrin, kush financoi dhe kush i ekzekutoi Vajdin Lamën dhe Artan Arsin, tregon se ende nuk kemi një tablo të qartë. Janë dy viktima, ndërsa ky person tjetër është krejtësisht i pafajshëm në këtë histori.

Ne nuk kemi sot një fabul të qartë. Kjo dëshmon se hetimi ka pasur nevojë për të arritur në këtë përfundim. Edhe kërkesa përfundimtare për dënimet është po ashtu e çuditshme. Pse? Nëse ke qenë i përfshirë në këtë vrasje, dënimi është burgim i përjetshëm. Ka prova që është Shullazi? Ne e dinim që Shullazi ka tentuar ta ekzekutojë Vajdin Lamën. E dinim që ishin kundërshtarë dhe se, nëse do t’i jepej rasti, do ta eliminonte.

Por, a kishte mundësi të shkonte atje? A është i përfshirë? Kjo është më e rëndësishmja: a është i përfshirë në këtë ngjarje? Nëse është i përfshirë, nuk dënohet me 25 vjet. Ai do të shkojë në burgim të përjetshëm. Nuk ka 25 vjet aty.

Sigurisht që kjo ka një prapavijë. Kjo ngjarje ka një prapavijë. Por besoj se skena do të jetë më e qartë kur të dalë vendimi i Gjykatës. Nëse do të shohim që Gjykata, bazuar në këto elemente që nuk përputhen, do të miratojë kërkesën e SPAK-ut apo do të japë një vendim tjetër, atëherë do të duket qartë interferimi politik i drejtpërdrejtë në këtë ngjarje.’, u shpreh gazetari Artan Hoxha në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco