Gazetari Alban Dudushi, i ftuar në emisionin Top Story me Grida Dumën, deklaroi se në Asamblenë e Partisë Socialiste që do të mbahet të shtunën do të ketë debate, por pa çarje brenda partisë. Ai tha se në këtë mbledhje nuk priten emra për zgjedhjet e ardhshme, vetëm sinjale të mundshme.
Dudushi shpjegoi se nuk beson se socialistët janë të gatshëm të dalin hapur kundër kryetarit, pasi një konfrontim i tillë do të nënkuptonte edhe dorëzimin e pushtetit. Sipas tij, pavarësisht pakënaqësive, anëtarët bëjnë llogaritjet e tyre personale. Pas pjesës së hapur me publikun, do të ketë diskutime, por jo zëra të shumtë.
Ai tregoi se Elisa Spiropali pritet të insistojë, duke e lidhur iniciativën e saj me letrën që e quan platformë për rihapjen dhe një kontratë të re me Shqipërinë. Dudushi vlerësoi se do të jenë “dy-tre” deputetë që kanë qenë afër Veliajt të përfshirë në diskutime, ndërsa nuk ishte i sigurt nëse Plarent Ndreca është anëtar i Asamblesë.
Gazetari shprehu mosbesim se debatet e së shtunës do të çojnë në grupazhe dhe ndarje brenda PS-së, duke e përshkruar fushën si një zonë komforti për kryeministrin Rama, pa përçarje të brendshme. Ai përsëriti se, sipas tij, të shtunën nuk do të zyrtarizohen emra për zgjedhjet, dhe në rast se do të ketë sinjale, këto nuk do të shoqërohen me emërtime konkrete gjatë asamblesë.
