Rritet frika për luftë me Iranin/ SHBA shton prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme, 200 avionë në rajon
Një ngjarje tragjike që tronditi opinionin publik në Britaninë e Madhe po shqyrtohet në gjykatë. Nëna e një 20-vjeçari, i cili humbi jetën në një hotel në Dubai pasi një pako me kokainë që kishte gëlltitur i shpërtheu në stomak, akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
Sipas raportimit të Daily Mail, Rebecca Hatch, 45 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Glenn Hatch, 51 vjeç, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Kurorës në Preston, së bashku me tre persona të tjerë, në kuadër të hetimeve për vdekjen e Jensen Westhead.
I riu nga Thornton-Cleveleys, Lancashire, kishte udhëtuar nga aeroporti i Mançesterit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi kishte gëlltitur disa pako me kokainë, me qëllim transportimin e tyre. Ai u gjet i pajetë në dhomën e hotelit Avalon më 5 dhjetor 2024, një ditë pas mbërritjes në Dubai.
Gjatë seancës gjyqësore, prokuroria pretendoi se nëna dhe njerku i 20-vjeçarit kishin dijeni për aktivitetin e tij dhe e kishin ndihmuar në realizimin e udhëtimit, duke i mundësuar rinovimin e pasaportës dhe duke e transportuar drejt aeroportit të Mançesterit.
Si prova, prokuroria paraqiti edhe mesazhe telefonike mes të riut dhe nënës së tij gjatë udhëtimit drejt Dubait. Sipas tyre, komunikimet tregojnë se Rebecca Hatch kishte dijeni për aktivitetin e të birit dhe rrezikun që ai po merrte përsipër.
Në procesin gjyqësor janë përfshirë edhe Alexander Tofton, 33 vjeç, Joseph Watson, 32 vjeç, dhe Steven Stephenson, 48 vjeç. Sipas prokurorisë, ata kishin role të ndryshme në një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës.
Një tjetër element i paraqitur në gjykatë është fakti se gjurmët e gishtërinjve të Steven Stephenson u gjetën në njërën prej pakove të drogës që u nxorën nga trupi i viktimës gjatë hetimeve pas vdekjes.
Prokuroria pretendon gjithashtu se pas vdekjes së 20-vjeçarit janë kryer veprime për fshirjen e të dhënave nga disa telefona celularë, ndërsa në banesën e njërit prej të pandehurve është gjetur edhe një shënim ku shprehej keqardhje dhe përgjegjësi për vdekjen e të riut.
Të pesë të pandehurit mohojnë akuzat për vrasje nga pakujdesia dhe përfshirje në eksportimin e një droge të klasit A. Njëri prej tyre përballet gjithashtu me një akuzë për mosdhënien e kodit PIN të telefonit gjatë hetimeve.
Top Channel