Pse Berisha ka sulmuar flamingot dhe partitë e reja? Analistët: Kërkon të ruaj partinë e tij, ka frikë

Sulmi i kryedemokratit Sali Berisha ndaj protestës së flamingove dhe partive të reja ishte një tjetër pikë e diskutuar këtë të enjte në studion e “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus.
Për analistët Andi Bushati, Ermir Gjinishi, Preç Zogaj dhe Dritan Hila, të gjitha lëvizjet e Berishës tregojnë se ai ka shumë frikë se mos i ikën partia.
Sipas tyre, zgjedhjet në Hungari dhe së fundmi në Serbi treguan se ngritja e popullit rrëzon jo vetëm mazhorancën, por edhe opozitën.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pse Berisha ka sulmuar flamingot dhe partitë e reja?
Zogaj: Berisha është befasuar nga madhësia e protestës. Ajo ishte një protestë madhështore. Berisha vetë, me partinë e tij, nuk i ka bërë dot këto protesta. Prandaj është kontradiktor. Protesta kërkon dorëheqjen e Ramës, e kërkon edhe PD-ja. Ata kërkojnë edhe reformimin e reformës zgjedhore, e kërkon edhe PD-ja. Prandaj unë mendoj se këto parti nuk kanë pse të kenë ndasi, pasi është e vetmja rrugë për të mposhtur Ramën. Rruga e vetme është, së pari, duke imponuar dorëheqjen e tij dhe, së dyti, duke imponuar një ligj të ri zgjedhor, siç është ai që tha Berisha, që duhet një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.
Por, nga ana tjetër, Berisha është mes dy zjarreve. Edhe i pëlqen që ka forca të tjera që kërkojnë këtë gjë, por nga ana tjetër ka frikën për partinë e tij, duke parë disa shembuj edhe në Hungari dhe në Serbi. Atij i shkon në mendje se partia e tij zvogëlohet me hyrjen në lojë të partive të tjera. Por për mua opozita shqiptare është më e fortë se në Hungari dhe Serbi. PD-ja ka një histori të vetën. Nën drejtimin e Sali Berishës, ajo parti nuk ka mundësi të zhduket. Berisha garanton qëndrueshmërinë e saj.
Bushati: Unë do të kap atë pjesën e mesit të Preçit. Berisha, si politikan i vjetër, ka ndier një gjë: zhdukjen e opozitës hungareze dhe zhdukjen e opozitës serbe. Pra, në dy sisteme ku populli u ngrit kundër autokratëve, opozita u zhduk. Berisha po ruan radhët e veta. Ai e di se shumë njerëz u entuziazmuan me atë që ndodhi me flamingot. Ai nuk do që vatha e vet të jetë ngritur për t’u ikur.
Për mua është paradoksale, është idiotësi, sepse aty e ka parë e gjithë Shqipëria se nuk bërtisnin 20 vetat e Arlind Qorit: “Rama në burg, Berisha në burg”, por ishin 100 mijë veta. Shqipëria e re nuk përjashton vetëm Ramën, por edhe Berishën. Berisha këtu do të ruajë radhët. Pse e bën në mënyrë idiotike? Rama sot thotë: “Na e futën grekët, iranianët”, ky thotë: “Na e futi Sorosi”.
Hila: Nuk mbahet gjashtë muaj protesta pa fonde.
Bushati: Kush është regjimi i kësaj gjëje? Shumë njerëz të sponsorizuar nga Rama thoshin se Berisha do të ruajë pushtetin dhe, së dyti, nuk i intereson të heqë Ramën. Po filloj ta besoj dhe unë. Sot Berisha është frikësuar se mund të humbasë monopolin e të dytit. Frika dhe ankthi i të dytit mund të bëjnë këtë sjellje. Pse bërtasin këta edhe “Berisha në burg”? Edhe këtë Berisha duhet ta shohë te vetja. Ditën e parë që shpërtheu në Zvërnec, Berisha tha se këta janë të Sorosit, ne jemi për investime të huaja. Berisha, ditën e dytë, bëri thirrje dhe tha se do të shkojmë te protesta që mbron gjininë, jo te ajo e Sorosit. Ishte Berisha në fillim që iu kundërvu protestës dhe mori reagimin që mori.
Hila: Kanë bërë thirrje për djegien e portalit tim. Nuk janë kështu që duan një Shqipëri që të lulëzojë. Një pjesë janë banditë, një pjesë gjobëvënës. Kur shkuan në Zvërnec, 95% e tyre nuk e dinin ku bie Zvërneci, 99% e tyre nuk dinë çfarë janë flamingot.
Bushati: Janë njerëzit që duan një Shqipëri të jetueshme.
Hila: Që në fillim, kur pashë kush shkoi në Zvërnec, edhe ata që banojnë aty duan të ndërtohet resorti. Ngaqë janë grupime të vogla, Berisha nuk mund të vihet në funksion të tyre. Ishte një rast në Serbi, ku opozita iu bashkua studentëve, ndërsa në Hungari ishte pjesë e sistemit ai Magjari. Ishte një grusht shteti.
Bushati: Mori 60% të elektoratit.
Hila: Unë nuk kam besim te turmat. Ne flasim për mekanizmat se si lëviz. Se si e merr votën ka të bëjë me propagandën.
Zogaj: Me zgjedhje të lira e mori.
Hila: Po ishin edhe 500 milionë të Sorosit, një bllokadë që i bëri BE-ja. Edhe këtij iu ngritën nervat se i thanë: “Mos u mërzit, nuk do të ndihmojmë Ukrainën”.
Bushati: Ta hedhësh një regjim dhe të mos dish të mirëqeverisësh janë dy gjëra të ndryshme.
Hila: Të shkojmë pas berihait.
Rakipi: Ta lëmë kështu siç është.
Hila: Unë mendoj se Rama është alternativa më e mirë. Këtij narkoregjimi nuk është se iu kapën drogë në Itali. Iu kapën 12 milionë, sa një pallat. Berishës nuk i janë tharë krahët që t’i marrin lidershipin e opozitës. Ai po lufton për partinë e vet. Kushdo që të ishte, atë luftë do të bënte. Berisha vetë si parti nuk e rrëzon. Koalicion me këta të paprovuar? Berisha për momentin e ka luftën me partinë e vet. Asnjë parti që ka rrëzuar komunizmin nuk ka qëndruar më shumë se 10 vjet. Është talenti i Berishës që e ka mbajtur më shumë.
Rakipi: Erdogani ka talent të madh?
Hila: Ata që merren me politikë e quajnë profesor. E ka çuar Turqinë në fuqi rajonale.
Zogaj: PD-ja ka tërë ato vite që humb.
Hila: Po ka partinë më të madhe në vend.
Rakipi: Unë e kam dashur fillimisht shumë Saliun. Dashuria jote për Saliun është e pakuptimtë.
Hila: Unë bëra analizë. Ka marrë 500 mijë vota Saliu. Sa i përket numrave, ai është akoma numri dy pas Ramës. Sa i përket entuziazmit tuaj për partitë e reja, unë e kam zero.
Bushati: Lëvizja Bashkë ka programin më të mirë që është bërë në 30 vite në Shqipëri.
Hila: Një shekull e provoi njerëzimi në kurriz marksizmin.
Bushati: Nuk ka lidhje me marksizmin, lexo programin.
Hila: Meqë në radhët e tyre ka vetëm njerëz që gjuajnë me vezë.
Bushati: A e ke lexuar programin? Që gjuajnë me vezë hajdutët është më e mira.
Hila: Nuk shoh njerëz që njohin administratën. Ishte dikur PD-ja, por kishte me vete ajkën e ajkës.
Gjinishi: Njerëzit u derdhën në bulevard edhe për shkak të mungesës së opozitës. PD-ja nuk ka rritje, partitë e tjera kanë rritje. Sulmon partitë e reja, çfarë kuptimi ka? Është i dështuar.




