
Një gjykatë federale në Nju Jork ka rrëzuar të enjten kërkesën e dy filialeve amerikane të FIFA-s për të penguar UEFA-n të mbledhë prova lidhur me përpjekjet e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur aksione në Kupën e Botës dhe turne të tjera te investitorë privatë.
Vendimi i gjyqtares Jeannette Vargas i hap rrugë UEFA-s të kërkojë dokumente nga banka amerikane JP Morgan dhe shoqëria e investimeve Thrive Capital, në pronësi të Joshua Kushnerit, vëllait të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
UEFA paraqiti kërkesën për mbledhjen e provave në gusht, në kuadër të përpjekjeve për të larguar Infantinon nga drejtimi i FIFA-s. Organizata europiane e futbollit ka deklaruar se, nëse gjen prova për shkelje financiare, do të paraqesë një kallëzim penal në Zvicër.
Sipas DW, çështja lidhet me projektin e quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE), i cili synonte administrimin e interesave tregtare të FIFA-s përmes përfshirjes së investitorëve privatë, të cilët do të mund të blinin aksione të pakicës. Propozimi u bë publik në korrik dhe shkaktoi reagime kundërshtuese nga disa konfederata kontinentale, ndërsa UEFA kërcënoi me bojkot të turneve të ardhshme të FIFA-s nëse plani nuk tërhiqej.
Në vendimin e saj, Vargas argumentoi se dy filialet amerikane të FIFA-s nuk kishin “interes të drejtpërdrejtë, thelbësor dhe të mbrojtur ligjërisht” në këtë çështje, e cila lidhet me Infantinon dhe marrëdhëniet e tij. Sipas gjyqtares, nuk kishte prova se filialet amerikane, apo vetë FIFA, do të ishin palë në procedurat e mundshme penale.
Avokatët e FIFA-s kundërshtuan vendimin, duke theksuar se gjykata nuk kishte shqyrtuar themelin e kërkesës së UEFA-s dhe se nuk ishte vendosur ende detyrimi për dorëzimin e dokumenteve.
Projekti FFE parashikonte gjithashtu pagesa prej 20 milionë dollarësh për secilën prej 211 federatave anëtare të FIFA-s, në këmbim të miratimit të nismës. Pas kundërshtimeve, Infantino u detyrua ta braktiste planin në gusht.
UEFA ka vijuar përpjekjet për të marrë sqarime mbi mënyrën se si u hartua projekti dhe përzgjedhjen e Thrive Capital për të drejtuar grupin e investitorëve. Ndërkohë, Infantino ka bërë të ditur se synon të kandidojë për një mandat tjetër në krye të FIFA-s.
Kandidatët që dëshirojnë të sfidojnë Infantinon duhet të shpallin kandidaturën deri të mërkurën, më 18 nëntor. Deri tani, kandidaturën e ka bërë publike vetëm japonezi Kohzo Tashima, anëtar i Këshillit Drejtues të FIFA-s.