Pamje tronditëse brenda ndërtesës/ Fëmija vrapon drejt nënës pak sekonda para shembjes së pallatit në Brooklyn, 8 viktima

Një video tronditëse, e filmuar nga brenda një prej apartamenteve, tregon momentet e fundit para shembjes së një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të New York-ut, ku humbën jetën 8 persona, mes tyre edhe dy fëmijë.
Në pamjet e publikuara, një djalë i vogël shihet teksa vrapon drejt nënës së tij, ndërsa familjarët duket se kuptojnë se diçka e pazakontë po ndodh me ndërtesën.
Vetëm pak sekonda më vonë, një pjesë e murit shembet, ndërsa regjistrimi ndërpritet papritur, duke lënë të paqartë atë që ndodhi më pas brenda banesës.
Një tjetër video, e filmuar nga kamera e sigurisë e një ndërtese aty pranë, dokumenton momentin e shembjes. Në pamje shihet një re e madhe pluhuri që mbulon zonën, ndërsa dëgjohet edhe zhurma e fuqishme e shkatërrimit.
Dyshohet për punimet e gërmimit pranë ndërtesës
Autoritetet amerikane po hetojnë shkaqet e tragjedisë, ndërsa një nga pistat kryesore është ndikimi i punimeve të gërmimit në një kantier ndërtimi pranë objektit. Sipas raportimeve, ndërtesa u shemb në drejtim të këtij kantieri.
Pas ngjarjes, kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani, urdhëroi inspektimin e rreth 100 pronave në qytet, të lidhura me pesë subjekte të përfshira në punime ndërtimi.
Tetë viktima, mes tyre dy fëmijë
Bilanci i tragjedisë është tetë të vdekur, mes tyre dy kushërinj, 10-vjeçari Kevin Santiago Reyes Gonzalez dhe 9-vjeçarja Nicole Daniela Rodriguez.
Mes viktimave janë edhe dy të rinj 26-vjeçarë, Jose Luis Caguana dhe Edgar Santiago Sapon, të cilët lanë pas fëmijë të vegjël. Caguana priste gjithashtu të bëhej baba për herë të dytë, pasi bashkëshortja e tij ishte shtatzënë.
Në mesin e viktimave ishte edhe 22-vjeçari Gabriel Siguenza, i cili ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra, si dhe 23-vjeçari Mamadou Barry, me origjinë nga Guinea.
Dy viktima të tjera u identifikuan si Juan Daniel Salvada Guzman, 31 vjeç, dhe Diaye Mamadou.
Kryebashkiaku Mamdani u shpreh se viktimat ishin miq dhe fqinjë të komunitetit, prindër, fëmijë dhe familje të reja që kishin ndërtuar jetën e tyre në New York, shumë prej tyre emigrantë nga vende të ndryshme të Amerikës Latine dhe më gjerë.




