VIDEO/ Pamje nga brenda ndërtesës që u shemb në New York, momenti kur një fëmijë vëren murin që shembet dhe shpejton drejt të ëmës
Mbi 60% e grave që shërbejnë në ushtrinë gjermane kanë përjetuar ngacmime ose abuzime seksuale gjatë shërbimit ushtarak.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka premtuar një politikë të tolerancës zero ndaj çdo forme të sjelljes së papërshtatshme, duke paralajmëruar masa më të forta për mbrojtjen e personelit.
Studimi i parë gjithëpërfshirës për këtë fenomen në Bundeswehr, i realizuar nga Qendra për Historinë Ushtarake dhe Shkencat Sociale në Potsdam, zbulon se ngacmimet variojnë nga komentet me përmbajtje seksuale dhe sjelljet poshtëruese, deri te sulmet fizike dhe dhuna seksuale.
Sipas të dhënave, pothuajse 40% e rreth 4 mijë grave që morën pjesë në anketim deklaruan se ishin përballur me komente sugjestive dhe shprehje seksuale.
Ndërsa 15% raportuan se ishin ngacmuar përmes fotografive të marra me telefona celularë pa pëlqimin e tyre, të cilat në disa raste ishin manipuluar edhe me inteligjencë artificiale.
Pak më shumë se 8% thanë se kishin përjetuar sulme fizike, ndërsa 2% raportuan se kishin qenë viktima të dhunës seksuale.
Problemi prek edhe burrat në radhët e ushtrisë. Rreth 19% e ushtarëve meshkuj deklaruan se kishin përjetuar forma të ngjashme të sjelljeve të papërshtatshme seksuale. Sipas studimit, ushtarët homoseksualë dhe personat jobinarë janë gjithashtu të prekur në mënyrë disproporcionale.
Ministri Pistorius i cilësoi rezultatet si “të papranueshme”, duke theksuar se është veçanërisht shqetësuese që një pjesë e konsiderueshme e viktimave nuk kanë besim te mekanizmat e raportimit. Rreth një e treta e të anketuarve thanë se nuk i kishin denoncuar ose nuk do t’i denonconin incidentet, pasi dyshonin se eprorët e tyre do të ndërmerrnin veprime konkrete.
Për të lehtësuar raportimin, ministria ka krijuar linjën telefonike HELP, e cila synon t’u ofrojë mbështetje ushtarakëve që përballen me ngacmime ose abuzime. Pistorius ka premtuar gjithashtu se viktimat do të informohen më mirë për ecurinë e hetimeve dhe procedurave disiplinore.
Ai bëri të ditur se studimi do të përsëritet çdo vit, duke kundërshtuar sugjerimet e disa kolegëve për të mos e publikuar, me argumentin se rezultatet mund të dëmtonin imazhin e ushtrisë.
Publikimi i të dhënave vjen në një moment kur Gjermania po përpiqet të shtojë ndjeshëm numrin e forcave të armatosura. Bundeswehr synon të arrijë deri në vitin 2035 në 260 mijë ushtarë aktivë dhe 200 mijë rezervistë, ndërsa investon miliarda euro për personelin dhe pajisjet ushtarake.
Sipas ministrit, gratë që shërbejnë në njësi me një përqindje më të lartë të personelit femëror përballen më rrallë me ngacmime, çka sipas tij përforcon nevojën për të rekrutuar më shumë gra në ushtri.
Nga 45 mijë pjesëtarë aktualë dhe ish-pjesëtarë të forcave të armatosura që u kontaktuan për studimin, rreth 18% iu përgjigjën anketimit.
Top Channel