Rastet me pneumoni, rrezik edhe tek të rinjtë/Dibra, apel për vaksinime ndaj situatave gripale
Në Ditën Botërore të Pneumonisë, mjekët ngrenë shqetësimin për rritjen e rasteve me këtë infeksion respirator. Pneumologia Lindita Dibra konfirmon një shtim të pacientëve të prekur në Shkodër, duke theksuar nevojën për parandalim.
“Kjo është një ditë ndërgjegjësimi për një diagnozë shumë madhore, e cila merr rëndësi të veçantë te fëmijët dhe te të moshuarit, sidomos te të moshuarit që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Shfaqet me temperaturë, kollë, dhimbje gjoksi dhe ulje të oreksit. Shpeshherë shfaqet edhe me ulje të nivelit të oksigjenimit. Rritja e virozave shoqërohet edhe me rritjen e numrit të pneumonive. Duhet të cilësoj këtu se bëhet fjalë për pneumonitë e fituara në komunitet, pra pneumonitë e zakonshme”, u shpreh Lindita Dibra Cela, Shefe, Reparti i Pneumologjisë.
Shqetësues është fakti se pneumonia po prek gjithnjë e më shumë edhe moshat e reja. Rreziku shtohet veçanërisht kur infeksioni bashkëshoqërohet me sëmundje të tjera, duke rritur mundësinë e komplikacioneve.
“Pneumonia sot nuk prek vetëm moshat e thyera. Pra, kujdesi duhet të jetë më i madh te të moshuarit dhe te fëmijët e vegjël, por ajo prek edhe moshat e reja. Kjo, falë faktit se është rritur duhan pirja dhe po vihet re konsumimi i duhanit në mosha gjithnjë e më të reja. Edhe në adoleshencë po hasim shumë raste të pirjes së duhanit, pasi duhani është një faktor kryesor rreziku për të gjitha patologjitë e mushkërive”, tha mjekja.
Në spital ka aktualisht pacientë të shtruar me pneumoni, mes tyre edhe raste në gjendje jo të mirë
“Në fillim të përhapjes së virozave kemi pasur një rritje të konsiderueshme të rasteve të pneumonisë, jo vetëm të njërës anë të mushkërisë, por edhe të të dyja anëve. Pneumonitë nuk kanë kursyer as moshat e reja dhe janë shfaqur në forma të rënda, deri në ulje të nivelit të oksigjenimit”, tha ajo.
Në këtë ditë ndërgjegjësimi, apeli i mjekëve është për më shumë kujdes, paraqitje në kohë te mjeku dhe vaksinim, si mënyra të rëndësishme për të parandaluar format e rënda të sëmundjes.
Gazetare: M Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




