Qyteti për fëmijët, siguria dhe hapësirat publike, elemente kyçe për një qytet miqësor ndaj tyre
Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve në hapësirat publike janë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të një qyteti. Arkitekti Zef Çuni shprehet se hapësirat e gjelbra, parqet dhe këndet e lojërave luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin fizik, social dhe emocional të fëmijëve.
“Brezi i ri dhe fëmijët janë ata që duhet të trajtohen me më shumë kujdes. Duhet të ketë një shpërndarje të drejtë të kopshteve, çerdheve dhe shkollave në qytet, por rëndësi kanë edhe ambientet rekreative, këndet e lojërave për fëmijë dhe fushat sportive. Po ashtu, kanë rëndësi trotuaret, korsitë e biçikletave dhe siguria në trafik. Pra, një rregullim i mirë urban ndihmon në ruajtjen e jetës së fëmijëve”, u shpreh arkitekti, Zef Çuni.
Nevojat e fëmijëve kërkon hapësira të sigurta dhe infrastrukturë të përshtatshme për lëvizjen e tyre.
“Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, të kombinuara me kënde lojërash për fëmijët, mendoj se është shumë i rëndësishëm. Nëpër lagje duhet të ketë edhe biblioteka, të cilat të ofrojnë edhe akses në internet, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi, për shembull, të lexojnë libra edhe në internet. Këto lloj bibliotekash funksionojnë në shumë vende të botës dhe ndihmojnë në edukimin dhe shkollimin e fëmijëve. Kështu, koha e tyre do të shpenzohej në mënyrë pozitive”, tha ai.
Krijimi i një qyteti miqësor për fëmijët kërkon planifikim urban, investime në infrastrukturë dhe vëmendje ndaj nevojave të tyre. Hapësirat e sigurta dhe të aksesueshme janë një kusht i rëndësishëm për një mjedis më të mirë për brezat e rinj.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




