FIER- Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja është dërguar me urgjencë në spitalin që drejtonte, rreth mesnatës, pas u arrestua për tjetërsimin e 44 mijë m² tokë. Burime bëjnë me dije se Voja ka shfaqur probleme kardiake dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Voja u arrestua një ditë më parë në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Fierit për tjetërsimin e dyshuar të 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në Povelçë. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe dyshohet për falsifikim dokumentesh gjatë kohës kur drejtonte Kadastrën e Fierit.
Sipas hetimeve, toka dyshohet se ka kaluar në pronësi private përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i është shitur investitorit Halil Gashi për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Prokuroria e ka sekuestruar sipërfaqen, e cila figuron në pronësi të Gashit.
Krahas Vojës, masa e sigurisë “arrest në burg” u ekzekutua edhe për ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, punonjësen e Kadastrës Fjorelo Bida dhe noteren Anila Haxhiu. Për personin e pestë, punonjësen e Kadastrës Arbina Jaupaj, gjykata caktoi masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Voja është përballur më herët me hetime nga Prokuroria e Fierit, kur ishte në krye të Agjencisë së Mjedisit dhe Kadastrës. Në dhjetor të vitit 2025, organi i akuzës njoftoi për përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të tij dhe 6 punonjësve të tjerë, për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Çështja lidhej me shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore.
Po ashtu, në maj të vitit 2023 kur ishte në krye të Kadastrës së Fierut, Voja është kallëzuar në SPAK nga Kadastra e Shtetit. Në kallëzim, Agjencia shtetërore e Kadastrës në Tiranë, theksonte se drejtori i Fierit dhe specialistja Shpresa Gjikondaj akuzoheshin për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh me një dëm ekonomik për shtetin shqiptar prej 9.5 milionë lekësh të reja.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento