Inflacioni në Francë arrin në 3.7%, niveli më i lartë në pothuajse tre vjet

Inflacioni në Francë u përshpejtua në 3.7% në tetor, nga 3.4% në shtator, duke arritur nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2023, sipas të dhënave përfundimtare të publikuara të premten nga instituti francez i statistikave, INSEE.
Shifra i referohet indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, që përdoret për krahasimet mes vendeve të Bashkimit Europian dhe është një nga treguesit kryesorë të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane.
INSEE e rishikoi treguesin me 0.1 pikë përqindjeje në ulje, krahasuar me vlerësimin paraprak prej 3.8%, të publikuar në fund të tetorit.
Përshpejtimi i inflacionit në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës vjen pas disa muajsh rritjeje të çmimeve të energjisë, të ndikuara nga kriza e furnizimit dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Sipas vlerësimeve paraprake të INSEE, çmimet e energjisë u rritën me 24.1% me bazë vjetore në tetor, nga 21.3% në shtator, duke përbërë një nga burimet kryesore të presionit mbi inflacionin.
Rritja e çmimeve është përshpejtuar edhe në sektorin e shërbimeve, veçanërisht në transport dhe akomodim. Ndërkohë, çmimet e produkteve të përpunuara industriale kanë vijuar të shënojnë rënie të lehtë, ndërsa inflacioni i ushqimeve ka qenë më i moderuar.
Në shtator, çmimet e ushqimeve ishin rritur me 1.4% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa çmimet e shërbimeve me 2.4%.
Rritja e inflacionit shton presionin mbi fuqinë blerëse të familjeve franceze, veçanërisht për shpenzimet e energjisë dhe transportit.
Zhvillimi ka rëndësi edhe për politikën monetare të Eurozonës. Përshpejtimi i çmimeve në një prej ekonomive më të mëdha të saj mund të ndikojë pritshmëritë e tregjeve për vendimet e ardhshme të Bankës Qendrore Europiane mbi normat e interesit.
Për bizneset, inflacioni më i lartë i energjisë nënkupton kosto më të mëdha të prodhimit dhe transportit, ndërsa për familjet kufizon të ardhurat reale të disponueshme për konsum.
Franca po përballet me këtë valë të re presioni mbi çmimet në një periudhë kur ekonomia europiane vijon të ndikohet nga kostot e larta të energjisë dhe pasiguritë në tregjet ndërkombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









