Tre kapituj të tjerë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian po shkojnë drejt mbylljes. Shqipëria është pika e tretë në rendin e ditës të mbledhjes së Grupit të Punës për Zgjerimin, të njohur si COELA.
Burime bëjnë me dije se vendet anëtare do diskutojnë qëndrimet për kapitullin 7, që mbulon të drejtën e pronësisë intelektuale, kapitullin 6 për të drejtën e shoqërive tregtare dhe kapitullin 13 për peshkimin dhe akuakulturën.
Pas diskutimeve në grupin e punës, çështja e mbylljes së tre kapitujve kalon në COREPER, ku takohen ambasadorët e 27 vendeve anëtare pranë BE-së. Ata përgatisin opinionin që duhet të marrë miratimin unanim të vendeve anëtare në Këshillin e BE-së. Më pas, mbyllja e përkohshme e kapitujve formalizohet në Konferencën Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Shqipëria ka mbyllur deri tani përkohësisht katër kapituj. Udhërrëfyesi i Komisionit Europian parashikon që nga 31 kapitujt e mbetur, gjashtë të mbyllen deri në fund të këtij viti, dhjetë në gjysmën e parë të vitit 2027 dhe 15 në gjysmën e dytë.










Komente
Komento