
Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë të fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Finlandës në Ligën e Kombeve. Sulmuesi kuqezi dhuroi një moment spektakolar në “Arenën Kombëtare”, duke realizuar një gol të jashtëzakonshëm në minutën e 35-të, që ndezi festën në shkallët e stadiumit.
Por gëzimi për realizimin e futbollistit shqiptar nuk ishte vetëm në kampin kuqezi. Edhe në Turqi, klubi i Trabzonsporit ka festuar paraqitjen e lojtarit të tij, duke i kushtuar një postim të veçantë në rrjetet sociale.
Skuadra turke ka përgëzuar Muçin për golin e shënuar me fanellën e Shqipërisë, duke vlerësuar kontributin e tij në suksesin e rëndësishëm të Kombëtares.
“Urime futbollistit tonë, Ernest Muçi, i cili shënoi golin e parë të kombëtares së tij në fitoren 2-0 që Shqipëria arriti ndaj Finlandës në Nations League”, thuhet në postimin e Trabzonsporit.
Kështu, supergoli i Muçit ka marrë vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Turqi, ku tifozët e Trabzonsporit kanë një tjetër arsye për t’u krenuar me futbollistin shqiptar.