Negociatorët rusë kanë paraqitur një sërë kërkesash të gjera gjatë bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë të mbajtura në Abu Dhabi. Gazeta gjermane „Bild“, shkruan se propozimet e Moskës nuk kufizohen vetëm te territori ukrainas, por synojnë edhe ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Europë. Sipas raportimit, propozimet jozyrtare që iu përcollën përfaqësuesve europianë përfshinin kërkesa të debatueshme si largimin e Finlandës nga NATO dhe ndalimin e vendosjes së bazave ushtarake të Aleancës në Estoni, Letoni dhe Lituani. Në aspektin territorial, Moska kërkon të mbajë të gjitha zonat ukrainase që aktualisht kontrollon, si dhe të marrë të gjithë rajonin e Donbasit. Kjo do të nënkuptonte që Kievi të hiqte dorë edhe nga pjesët e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut që vazhdojnë të jenë nën kontrollin ukrainas. Propozimi rus parashikon gjithashtu çmilitarizimin e porteve strategjike të Odesës dhe Mikolajivit, duke mos lejuar përdorimin e tyre si baza detare. Krahas kësaj, sugjerohet arritja e marrëveshjeve të veçanta për garantimin e lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Baltik. Një tjetër kusht i rëndësishëm i Moskës lidhet me të ardhmen e Ukrainës. Rusia kërkon që vendi të ketë status të përhershëm neutral dhe të përjashtojë mundësinë e anëtarësimit në NATO. Megjithatë, sipas propozimit, integrimi i Ukrainës në Bashkimin Europian nuk do të pengohej. Në këmbim të këtyre kërkesave, pala ruse ofron tërheqjen e armëve bërthamore nga Bjellorusia dhe angazhimin për të mos vendosur në këtë vend raketa me rreze të mesme veprimi. Propozimi përfshin gjithashtu, sipas raportimeve të tjera mbi planin, tërheqjen e trupave ruse nga Transnistria.