Struktura e shpenzimeve, shqiptarët punojnë për të mbijetuar (ushqyer), europianët për të jetuar

Sipas hierarkisë së nevojave të psikologut Abraham Maslow, njerëzit përpiqen fillimisht të sigurojnë nevojat bazë për mbijetesë, si ushqimi dhe strehimi. Vetëm pasi këto nevoja plotësohen, krijohet më shumë hapësirë për sigurinë, marrëdhëniet shoqërore, vlerësimin dhe zhvillimin personal.
Edhe mënyra se si familjet i shpenzojnë paratë ndjek, në një masë të madhe, këtë logjikë. Kur të ardhurat janë të kufizuara, pjesa më e madhe e buxhetit përdoret për ushqim dhe nevoja të tjera të domosdoshme. Me rritjen e mirëqenies, pesha e këtyre shpenzimeve zvogëlohet dhe familjet kanë më shumë mundësi të shpenzojnë për argëtim, kulturë, udhëtime dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
Diferenca mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në strukturën e shpenzimeve pasqyron dy nivele të ndryshme mirëqenieje. Ndonëse Shqipëria po përshpejton përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Europian, struktura e konsumit familjar mbetet shumë larg asaj europiane. Ndërsa ushqimi merr një pjesë shumë më të madhe të buxhetit të shqiptarëve, familjet europiane kanë më shumë hapësirë për shpenzime të tjera.
Në vitin 2025, familjet shqiptare shpenzuan 39.8% të buxhetit për ushqime dhe pije joalkoolike, ndërsa në BE kjo kategori zinte mesatarisht 13.2% të konsumit familjar, sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat.
Në ekonomi, kjo marrëdhënie shpjegohet nga ligji i Engel-it, sipas të cilit, me rritjen e të ardhurave, pesha e ushqimeve në buxhet zvogëlohet, edhe kur shuma e shpenzuar për to rritet. Në Shqipëri kjo nuk po ndodh, teksa ndonëse mund të marrim më shumë të ardhura, sërish mbetemi të varfër.
Europianët shpenzojnë gati trefish më shumë për argëtim dhe kulturë
Një nga kontrastet më të forta shfaqet te shpenzimet për kohën e lirë. Në Shqipëri, argëtimi dhe kultura zënë vetëm 2.8% të buxhetit familjar, ndërsa në Bashkimin Europian, kategoria përkatëse, që përfshin edhe sportin, arrin në 7.7%. Europianët rezervojnë proporcionalisht rreth 2.8 herë më shumë për këto aktivitete.
Diferenca të konsiderueshme ka edhe në transport. Familjet shqiptare shpenzojnë 7.2% të buxhetit për këtë kategori, kundrejt 12.5% në BE. Pesha më e lartë në Europë lidhet me një strukturë më të gjerë konsumi, ku përfshihen blerja dhe përdorimi i automjeteve, transporti publik dhe shërbimet e tjera të lëvizjes.
Edhe restorantet dhe akomodimi zënë më shumë vend në shpenzimet europiane, me 9.5% të totalit, kundrejt 7.5% në Shqipëri. Këto shpenzime lidhen jo vetëm me konsumin e përditshëm jashtë shtëpisë, por edhe me udhëtimet dhe pushimet.
Ndërkohë, për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe lëndët djegëse, pesha në BE arrin në 23.8%, kundrejt 9.7% në Shqipëri. Megjithatë, krahasimi i kësaj kategorie kërkon kujdes, pasi Eurostat përfshin edhe qiranë e imputuar për banesat në pronësi, ndërsa anketa shqiptare regjistron qiranë e paguar.
Ku shqiptarët shpenzojnë proporcionalisht më shumë se europianët
Për veshje dhe këpucë, familjet shqiptare përdorin 5% të buxhetit, kundrejt 4.1% në BE. Pijet alkoolike dhe duhani zënë gjithashtu një peshë më të lartë në Shqipëri, me 4.3%, përkundrejt 3.6% në konsumin europian, ku kjo kategori përfshin edhe lëndët narkotike.
Për mobilimin, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen e banesës, shqiptarët shpenzojnë 6.6% të buxhetit, ndërsa europianët 4.8%.
Një tjetër ndryshim interesant lidhet me arsimin. Në Shqipëri, shpenzimet për këtë kategori zënë 3.3% të konsumit familjar, kundrejt vetëm 0.9% në BE. Në këtë krahasim ndikon edhe mënyra e financimit të arsimit, pasi shërbimet publike të ofruara pa pagesë nuk regjistrohen si shpenzime të drejtpërdrejta të familjeve.
Për shëndetin, raporti është i kundërt. Në BE kjo kategori zë 4.5% të konsumit, ndërsa në Shqipëri 3.4%. Edhe këtu, pesha e shpenzimeve varet nga organizimi i sistemeve shëndetësore, mbulimi publik dhe pagesat që bëjnë drejtpërdrejt familjet.
Shpenzimet për komunikimin janë më të përafërta, me 3.7% në Shqipëri dhe 3.3% në BE. Këtu përfshihen shërbimet telefonike, interneti dhe pajisjet përkatëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










