7 mijë familje synohet të përfitojnë mbështetje për strehimin përmes kredive me interesa të ulëta ose subvencionimit të qirasë. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi sot skemën e re, e cila parashikon 2 mijë kredi me interes zero, 2 mijë kredi me interes 3% dhe mbulimin e 50% të qirasë për 3 mijë familje.

Gjatë prezantimit të ndryshimeve në ligjin për strehimin social në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Balla bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 1 miliard e 250 milionë lekë për mbështetjen e familjeve dhe investimet në këtë sektor.

“Në total, 2 000 kredi me interes zero, 2 000 kredi me interes 3% dhe 3 000 familje që përfitojnë subvencionimin e qirasë. Në këtë mënyrë, 7 000 familje të reja do të mbështeten përmes këtyre programeve”, deklaroi Balla.

Ndryshimet e propozuara synojnë të zgjerojnë mundësitë e strehimit për familjet në vështirësi ekonomike, çiftet e reja dhe grupet vulnerabël.

Projektligji parashikon gjashtë forma mbështetjeje, nga banesat sociale me qira dhe kreditë e subvencionuara deri te përmirësimi i banesave ekzistuese, ndërhyrjet në zonat informale, strehimi i përkohshëm për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe banesat e përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Balla prezantoi edhe formulën për ndarjen e banesave, ku 30% parashikohen për strehim social, 20% për strehim të përballueshëm dhe 30% për shitje në tregun e lirë. Sipas tij, të ardhurat nga shitja e një pjese të banesave do të përdoren për financimin e projekteve të tjera të strehimit.

Një tjetër propozim lidhet me përdorimin e fondeve të sektorit privat dhe të Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social për programe që lidhen edhe me rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Sipas amendamentit,  familjet përfituese nga procesi i rindërtimit do të mund të aplikojnë edhe për skemat e strehimit, duke shmangur financimin e dyfishtë për të njëjtin qëllim.

Balla kërkoi edhe votën e opozitës për ndryshimet ligjore.

“Do të dëshiroja shumë që edhe kolegët e opozitës jo vetëm të ishin të pranishëm, por edhe ta mbështesnin me votë këtë ligj, i cili sjell një mbështetje të rëndësishme për një sektor dhe një nevojë shumë të madhe të shoqërisë sonë, siç është strehimi social”, tha ai.