Zelensky: Shpresë për fundin e luftës! Presidenti ukrainas këmbëngul për përfshirjen e europianëve në negociata

Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, janë takuar edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas bisedimeve që zhvilluan në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.
Takimi me Zelenskyn u zhvillua në Dublin, ku kreu i shtetit ukrainas mori pjesë në një samit evropian.
Pas bisedimeve me përfaqësuesit amerikanë, Zelensky përshëndeti rifillimin e procesit diplomatik, duke e cilësuar të rëndësishme përfshirjen e vendeve evropiane në raundin e ardhshëm të negociatave me Rusinë.
“Bisedimet me partnerët amerikanë kanë shënuar përparim dhe japin shpresë për përfundimin e luftës. Kemi rënë dakord gjithashtu për një shkëmbim të madh të të burgosurve të luftës, i cili do të mundësojë kthimin e ushtarëve tanë në shtëpi. Ky është një rezultat konkret dhe shumë i rëndësishëm. Sa I pë rket Evropë s, ajo duhet të jetë në ekipin negociator, brenda, jo anash, jo veçmas. Ata duhet të kenë një zë. Kjo është e rëndësishme për ne sepse lufta është pikë risht në Evropë”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas u shpreh se në axhendën e diskutimeve duhet të përfshihen hapa konkretë drejt armëpushimit dhe uljes së tensioneve në konflikt.
Edhe i dërguari amerikan Jared Kushner u shpreh optimist për ecurinë e negociatave, duke vënë theksin te shkëmbimi i të burgosurve të luftës dhe rëndësia e përfshirjes së vendeve evropiane në procesin e paqes.
“Patëm një diskutim shumë të mirë për mundësinë e finalizimit të shkëmbimit të të burgosurve të luftës, me synimin që mijëra njerëz të rikthehen pranë familjeve të tyre. Kemi punuar ngushtë me evropianët dhe besojmë se prania e tyre në tryezën e negociatave është shumë e rëndësishme. Presidenti Putin është informuar për këtë qëndrim dhe besojmë se ai është i gatshëm ta pranojë këtë”, tha Kushner.
Ndërkohë, më herët gjatë së enjtes, Steve Witkoff kishte njoftuar se një raund i ri bisedimesh do të zhvillohet së shpejti, këtë herë me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve evropianë. Rifillimi i kontakteve diplomatike dhe përfshirja e evropianëve në tryezën e ardhshme shihet si një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, megjithëse mbeten të paqarta hapat konkretë dhe kushtet që do të parashtrojnë palët.



