39 vende europiane kanë vendosur që bisedimet me Rusinë për sigurinë në Europë të zhvillohen vetëm pasi të përfundojë lufta në Ukrainë dhe të rikthehet paqja. Qëndrimi është përfshirë në një deklaratë të përbashkët gjatë samitit europian në Dublin, ndërsa Moska ka kritikuar vendimin. Bullgaria është i vetmi vend i Bashkimit Europian që nuk e ka nënshkruar dokumentin.

Deklarata, e propozuar nga Franca dhe e titulluar “Parimet kryesore të sigurisë europiane”, mbështet mundësinë e bisedimeve me Rusinë për uljen e rreziqeve të sigurisë, por vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet e nevojshme për rikthimin e paqes.

Diskutimet mund të përfshijnë rreziqet ushtarake dhe kërcënimet hibride, si sabotazhet, sulmet dhe fushatat e dezinformimit. Rusia ka kërkuar më herët kufizimin e pranisë së NATO-s pranë kufijve të saj.

Në dokument theksohet se asnjë vendim për Ukrainën nuk duhet të merret pa pjesëmarrjen e Kievit, ndërsa çdo marrëveshje që lidhet me sigurinë e Europës duhet të përfshijë vendet europiane.

39 vendet kërkojnë gjithashtu garanci të forta dhe të besueshme sigurie për Ukrainën. Deklarata vjen mes spekulimeve se Shtetet e Bashkuara mund të zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta me Moskën për një sistem të ri të sigurisë europiane, pa përfshirjen e vendeve të Europës.

Negociatori amerikan Jared Kushner ka paraqitur një propozim që mbështetet te komunikimi, transparenca ushtarake dhe ulja e rrezikut të përshkallëzimit. Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka kritikuar qëndrimin europian, duke akuzuar vendet e Europës se nuk janë të gatshme të diskutojnë për një sistem të ardhshëm sigurie dhe se nuk kanë caktuar ende një negociator për këtë proces.

Mes vendeve që nuk e nënshkruan deklaratën janë Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë-Hercegovina dhe Zvicra.

Bullgaria është i vetmi shtet anëtar i Bashkimit Europian që nuk iu bashkua deklaratës, ndërsa arsyet e këtij vendimi nuk janë bërë të ditura.