Bota e ka lënë pas epokën e qymyrit, naftës dhe gazit, dhe tashmë ka hyrë plotësisht në "epokën e energjisë elektrike", është shprehur një nga ekonomistët kryesorë botërorë në fushën e energjisë. Fatih Birol, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, deklaroi se në dekadën e ardhshme, në ekonominë globale do të shtohet një kapacitet prodhimi i energjisë elektrike më shumë se dyfishi i atij të dekadës së kaluar. Kjo ndodh ndërsa vendet përpiqen të sigurojnë furnizimet e tyre me energji, duke u mbrojtur nga paqëndrueshmëria e çmimeve të lëndëve djegëse fosile dhe nga goditjet në furnizim, siç mund të jenë ato të shkaktuara nga konfliktet, si psh ai në Iran.