Partia Socialiste mbledh këtë të shtunë Asamblenë Kombëtare, në një takim ku priten diskutime dhe vendime të rëndësishme për organizimin politik dhe qeverisës të mazhorancës. Në fokus do të jenë ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027. Kryeministri Edi Rama pritet të diskutojë me drejtuesit socialistë për organizimin e strukturave në terren dhe strategjinë elektorale në prag të zgjedhjeve vendore. Vëmendja do të përqendrohet te mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë bashkie dhe riorganizimi i drejtuesve politikë në qarqe. Një prej çështjeve që pritet të tërheqë vëmendje është edhe mundësia e lëvizjeve në kabinetin qeveritar. Në qarqet politike janë përmendur skenarë për largimin e disa ministrave, përfshirë mundësinë që emra nga qeveria të angazhohen në garën për drejtimin e bashkive.