“Napoleoni”, kush është bosi shqiptar që i frikësohet edhe mafia italiane, Corriere della Sera: Mes trafikut të drogës dhe jetës luksoze në Dubai
Gjesti i kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë ndeshjes së futbollit një ditë më parë, ka shkaktuar debate në studion e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel, mes Anri Balës dhe Bledian Kokës.
Në qendër të përplasjes ishte jo vetëm interpretimi i gjestit të Ballës, por edhe identiteti i tifozëve që thërrisnin “Rama, jep dorëheqjen”. Anri Bala argumentoi se gjesti nuk u drejtohej të gjithë shqiptarëve, por një grupi të caktuar që kërkonte largimin e kryeministrit.
Gjatë debatit u përmendën edhe mbështetësit e Lëvizjes Bashkë dhe të partisë Mundësia, si grupime të mundshme mes tifozëve që protestonin, pa u konfirmuar përkatësia e tyre politike.
Nga ana tjetër, Bledian Koka kundërshtoi përpjekjen për t’i identifikuar tifozët me grupime të caktuara politike, duke theksuar se thirrjet kundër Ramës ishin dëgjuar në të gjithë stadiumin. Ai deklaroi se kishte qenë i pranishëm në ndeshje dhe se gjesti i Ballës ishte një përgjigje ndaj qytetarëve që kërkonin dorëheqjen e kryeministrit.
Ndryshe nga dy të ftuarit, gazetari Milaim Zeka shmangu dhënien e një interpretimi për gjestin, duke argumentuar se nuk kishte informacion të plotë mbi rrethanat e ngjarjes dhe se videot e publikuara në rrjetet sociale mund të jenë të montuara.
Debati i plotë në studion e Shqipëria Live:
Sidorela Gjoni: Kam një video shumë të bukur të zotit Taulant Balla nga ndeshja.
Bledian Koka: Kjo është gjëja më e vogël që socialistët mund t’u bëjnë qytetarëve shqiptarë.
Sidorela Gjoni: Duket që ka pasur një konflikt me tifozët, nuk është se… Qartazi që është me tifozët, është me njerëzit.
Anri Bala: Pse është eksplicite? Si e sheh ti?
Bledian Koka: O Anri, varet se ku e sheh krahun. Në momentin që ne shohim të njëjtën gjë dhe dy njerëz e shohin ndryshe pastaj, është opinioni publik që gjykon se kush sheh tamam.
Anri Bala: Jo, ngaqë the eksplicite.
Bledian Koka: Eksplicite përdoret për akte të caktuara, të cilat teknikisht mbajnë aktivitete, veprime ose thënie ofenduese, të drejtpërdrejta nga një person te shumë persona ose nga një person ndaj një personi.
Anri Bala: Te bërryli e kemi përdorur…
Bledian Koka: Unë mendoj që 99% e qytetarëve shqiptarë e kanë kuptuar fare mirë mesazhin e Taulant Ballës. Ka dhe 1% që mendon se është një pastrim bërryli i Taulantit?
Anri Bala: Pse janë 99% varianti që mendon ti dhe 1% varianti që mendoj unë?
Bledian Koka: Po mund të bëjmë një sondazh këtu ku jemi.
Anri Bala: Patjetër, sondazhin e ke ti, e ke me vota në Parlament. Sondazhin e ke, se u bë para një viti, 84 mandate si me thënë.
Bledian Koka: Të siguroj që 84 mandate do jenë për faktin që Taulant Balla atë krahun ia ka treguar dikujt që po i thotë Ramës…
Sidorela Gjoni: Milaim, si të duket ty kjo video?
Milaim Zeka: Unë nuk mund të jap asnjë opinion sepse nuk e di momentin, ngjarjen. Pastaj ka aq shumë montime të rrjeteve sociale, është shumë e vështirë të them për një kryetar të grupit parlamentar se ua ka treguar bërrylin në stadium. Nëse 99% e shqiptarëve janë të bindur se ai ua ka treguar bërrylin, ata mund t’ia tregojnë bërrylin PS-së në zgjedhjet e 9 majit.
Sidorela Gjoni: I ka treguar vendin ku ka bërë vaksinën?
Milaim Zeka: Vaksinën, njeriu mund të kruhet. Shyqyr që nuk është kruajtur më poshtë, por ka kruajtur bërrylin. Nuk mund të komentoj diçka shumë banale.
Sidorela Gjoni: Zakonisht në stadiume ndodh kjo me politikanët. E kam parë në Kosovë, e kam parë në Shqipëri. Njerëzit kanë një lloj pakënaqësie të justifikuar, me të drejtë, për shkak të situatës në Shqipëri dhe mund të bëjnë komente fyese për të denigruar një person, gjë që nuk është e drejtë, se ai ka shkuar në stadium për të parë ndeshjen. Po a është fyer nga koret “Rama, jep dorëheqjen” dhe sa të drejtë ka të përgjigjet në këtë lloj forme? Se s’besoj se është marrë dikush personalisht me zotin Taulant Balla që t’i kthejë këtë përgjigje.
Milaim Zeka: Vështirë me e komentu, pastaj futemi në fushën e spekulimeve dhe për mua janë të palejueshme në një TV kombëtar. Këto mund të jenë pjesë e rrjeteve sociale. Unë vetë jam viktimë e këtyre gjërave. Unë e kam thënë në një emision në televizion që unë kurrë nuk besoj që UÇK-ja ka bërë krime. Ma kanë marrë, e kanë komentuar, e bëjnë çfarë të duan. Pastaj inteligjenca artificiale, kështu që nuk guxoj me hy në spekulime.
Anri Bala: Ka disa gabime konceptuale këtu. Thonë që ia ka bërë shqiptarëve. E para, nuk ua ka bërë shqiptarëve, e ka bërë atyre që thonë “Rama ik”.
Bledian Koka: Jo, ata janë finlandezë që kanë ardhur dhe janë infiltruar te tifozët.
Anri Bala: Nuk po them që s’janë shqiptarë me kombësi.
Bledian Koka: Po pra, shqiptarë të poshtër që kërkojnë largimin e Taulantit dhe ata s’janë shqiptarë, ata janë gjakprishur, apo jo? Ti sapo e the.
Anri Bala: Mund ta ketë bërë dhe ty, për shembull, po të kishe qenë aty, “Rama, jep dorëheqjen”. Të kishin qenë ata të Mundësisë aty, ia ka bërë atyre që… Nuk ka për të hequr dorë Rama, s’thërrisni ju.
Bledian Koka: Ja pra, paska pasur, e pranove që ka pasur protestues.
Sidorela Gjoni: Ia ka bërë Mundësisë, thua? Janë ata të Mundësisë, këtë po thua?
Anri Bala: Të thashë që gjesti do të thotë nuk ka për të ndodhur. Unë e përkthej kështu. Ti the eksplicit.
Bledian Koka: Kishin dalë me banderolë ata? “Jemi të Mundësisë”?
Anri Bala: Po kishin hedhur video ata, të tyren.
Bledian Koka: Po pse nuk janë të Lëvizjes Bashkë? Ose pse nuk janë demokratë? Ose pse nuk janë të Erion Veliajt?
Anri Bala: Po janë dhe të Lëvizjes Bashkë, janë dhe të… Prandaj nuk bëhen këta, nuk dëgjojnë, kanë një defekt, nuk dëgjojnë.
Bledian Koka: Anri ka marrë patentën e shpërndarjes: këta, ata dhe ato.
Bledian Koka: Unë besoj që ata janë shqiptarë, sepse kam dëgjuar një stadium dje që jehonte, që vijnë nga PS-ja, nga PD-ja dhe i vetmi njeri që ua bëri me dorë atyre, ua bëri me krah, ishte Taulant Balla.
Anri Bala: Ia bëri një grupimi që thoshte “Rama, jep dorëheqjen”.
Bledian Koka: S’ka qenë një grupim, se ishte gjithë stadiumi, ulëriste dje. Isha në stadium. Unë them “Rama në burg”, jo “Berisha në burg”, e di ti.
Milaim Zeka: Duhet të fokusohen te varfëria ekstreme, papunësia, ikja e shqiptarëve. Ia tregon, s’ia tregon bërrylin, ne e dimë se çfarë është folur në 36 vite në Parlament nga liderë politikë, nga deputetë dhe shpresoj që brezi i ri i deputetëve të mos ketë modelin e budallallëkut të vjetër të pozitës dhe opozitës. S’kanë këta të shkretët ndonjë model të mirë.
Top Channel