Europa i jep ngjyrë dimrit të zymtë, festivalet e dritave kthehen në atraksione turistike

Me instalacione artistike, projeksione shumëngjyrëshe mbi ndërtesat historike dhe spektakle që transformojnë hapësirat publike, qytetet europiane po i kthejnë netët e gjata të dimrit në një atraksion turistik.
Nga Amsterdami në Lion e Kopenhagen, festivalet e dritave po tërheqin vizitorë edhe jashtë sezonit tradicional të udhëtimeve.
Në Amsterdam, festivali i përvitshëm i dritave do të zhvillohet nga 26 nëntori 2026 deri më 17 janar 2027.
Kanalet historike të qytetit shndërrohen në një galeri arti në natyrë, ku instalacionet e krijuara nga artistë ndërkombëtarë pasqyrohen mbi ujë.
Vizitorët mund t’i ndjekin veprat duke ecur, me biçikletë ose përmes shëtitjeve me varkë, duke përjetuar një pamje krejt tjetër të kryeqytetit holandez.
Në Francë, Lioni organizon nga 5 deri më 8 dhjetor festivalin e njohur Fête des Lumières, një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij lloji në Europë.

Lion
Fasadat e ndërtesave, sheshet dhe monumentet historike shndërrohen në skena për projeksione dhe instalacione artistike.
Festivali ndërthur traditën lokale me teknologjinë bashkëkohore dhe krijimtarinë e artistëve të njohur e talenteve të reja.
Edhe Kopenhagen ka zgjedhur dritën si një mënyrë për t’i dhënë jetë qytetit gjatë muajve më të ftohtë.
Nga 21 janari deri më 21 shkurt 2027, festivali i saj do të transformojë qendrën dhe zonën portuale me skulptura ndriçuese, instalacione dhe projeksione mbi ura e ndërtesa.
Ngjarja zhvillohet pikërisht në një periudhë kur ditët janë të shkurtra dhe aktiviteti turistik është tradicionalisht më i kufizuar.
Në Britaninë e Madhe, spektaklet e dritave janë pjesë e rëndësishme e sezonit festiv.
Kopshtet botanike Kew në Londër organizojnë nga 13 nëntori deri më 3 janar një itinerar me instalacione ndriçuese, muzikë dhe efekte vizuale.
Ndërkohë, Blenheim Palace ofron një shëtitje mes më shumë se një milion dritave, duke e kthyer parkun historik në një destinacion dimëror për familjet dhe turistët. visitlondon.com
Për qytetet europiane, këto festivale janë më shumë sesa aktivitete kulturore.
Ato krijojnë arsye të reja për të udhëtuar gjatë dimrit, zgjasin sezonin turistik dhe mbështesin aktivitetin e hoteleve, restoranteve dhe bizneseve lokale.
Në vend të turizmit të përqendruar vetëm te monumentet, muzetë apo pushimet verore, qytetet po investojnë në përvoja që i japin një dimension të ri hapësirës urbane.
Errësira e dimrit, dikur një pengesë për turizmin, po shndërrohet në pjesë të atraksionit. / The New York Times, Railtour
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









