Themelimi i Tiranës sipas botimit “Shqypnija e ilustrueme” (1929)

Marrë nga Shqypnia e Ilustrueme: Historija e Tiranës, fq. 53-59, botuar nga shtypshkronja “Zoja e papërlyeme” në Shkodër më 1929, ribotuar nga “Alsar”, Tiranë, 2020.
Përgatiti: Telegrafi.com
Legjendë I. mbi themelimin e Tiranës
Mbasi pamë ashtu për rresht Tiranln moderne, po mundohena me histori me çekë edhè disá sende mbi Tiranën e motshme.
Degrand *), në f. 205, kështu e pershkruen themelimin e Tiranës. [* A. Degrand « Suvenir de la Haute Albanie » - paris, 1901.]
«Mbi naltsi kû ngrehet gjyteti i Tiranës nuk shihej kah vj. 1600 veç nji pyllë e ndo’i kësollë e shkretë. Në Selitë, kahë Jug-perendimi, kishte kullen e vet nji beg i ardhun nga Peqini (Shqypni e Poshtme) qi quhej Selman, e prandej tokët mbi të cillat gjindej pylla quheshin Selmanehe. Në Muleti, n’anë tjetër, nder brigje të lumit Erzen, gjindej kështjelli i nji begut tjetër quejtun Sylejman qi ishte i familjes Barhime në gjini me të famshmin Nesuh Pasha, i njoftun me emnin Konakli dalë në pah per bâmirsí pse bâni me goditë gjatë udhës Ismidit në Bagdad, hâne 9 deri në 10 orë larg njeni prej tjetrit e të gjith nji sojit per kah trajta e randsija: secilli sish kishte tokë, fryti i të cillave prishej per mbajtje të tyne.
Sylejman Begu ishte nieri i gjytetnue e poet me famë. Si shkoj në Stambollë, e qiti rasa me hyë në Pallat të Sulltanit e me i shkrue në vjershë nji lavd qi Padishahi e pelqej e per shperblim e bâni Pashë.
Sylejman Pasha mbasi muer komanden e nji trupi ushtrije qi veprote në Persi, u dá në shêj per trimní nder shum luftime (shikjo historin turqishte të Naim-it) e Sulltani per shperblim i dha dy bishta kali (d. m. th. e bâni gjeneral divizioni). Kúr armata, dimnit, prête operacjonet, aj e kishte zakon me këthye n’atdhé të vet e pylla e bukur e sasija e ujnave i u dukshin mjete letsimi per me themelue nji gjytet e, s’práte tuj e lutë Selman Begun me i a shitë pjesen e tokve të tija. Selmani nuk i u gjegj kurrsesi prandej marrëdhanjet mjes dy bejlerve u bâne t’ashpra e t’egra. Sylejmani i fórt në pozicjon të vet atje në Stambollë, urdhnoj nji ditë të priten landët e pyllës per me ngrehë nji xhami edhè nji furrë (vj. 1605); goditja s’ishte krye endè kúr Selman Begu qi u kishte pri të vetve u rá puntorve edhè rrenoj xhamin. Por s’i ngiati gëzimi pse paditë per sakrilegj nga anmiku i vet kje gjikue per dekë; gjâja e malli i tij kjene shitë e Sylejman Pasha pa të vishtirë mujt me i bâ per vedi e me shti në veprim projektin qi pat nisë. Ndertoj nji shpí e me të nduell afer vedi edhè rrethinat tuj fillue kshtû godin e atij gjyteti qi e quejti Tehran në kujtim të nji fitimit qi kishte bâ në Persí; kjo âsht rrjedha e këtij gjyteti, emni i të cillit pak ka-pak shkoj tuj u shndrrue e u bâ Tiran per Tyrqit e, Tiranë-a per Shqyptarët: qe shkaku me prûe këtû Barhimet e Muletis. Deri këtû Degrand-i.»
Ket legjendë mund t’a njohim të vërtetë deri aty kû Sylejman Pasha themeloj xhamin e furrën rreth të cillave u shtuen ndertesat sa me perbâ nji katund a por gjytet, por, sa per emnin Tiranë se vjen prej fjalës Tehran qi i dha i syprithanuni Pashë, këtë e mohojmë shqimit me dokumenta në dorë. Barleti — qi shkroj librin: De obsidione Scodrensi (Rrethimi i Shkodrës në vj. 1478) e Historin de vita et gestis Skanderbegi Epirotarum Principis (Jeta e trimit e Skanderbegut Princ Epirotas), — në ket librin e mram f. 16 e 17 tuj folë per princat qi muerne pjesë në Kishë të Lezhës në lidhje kundra Tyrkut, thotë se muer pjesë edhè Ndrekë Topija. „Andreae Topiae est amplum imperium inter Tiranam et Epitanum fuit“ ase shqyp: „Viset kû u shtritte sundimi mjeft i hapët i Ndrekë Topís, u gjindshin ndermjet të Tiranës e të Durrsit.“
Tesh, Ndrekë Topija sundote mbi at krahinë qi quhej Tiranë qyshë në vj. 1440 ndërsa Sylejman Pasha mujti në Persí gjytetin Tehran në vj. 1607, prandej, edhè 160 vjet perpara Tirana permendej me ket emen. Na, me mâ shum arsye, besojmë se marrë krahina e Tiranës thirrej kështu qyshë n’at kohë qi Grekët sundojshin mbi Durrës e se n’at krahinë bâheshin kullosët e mbaheshin tufet e mdhá të berreve qi epshin tamel, djathë e tlyen gjytetit të Durrsit. Latinisht Tyros a por turos greqisht, don me thanë tlyen, djathë, etj. prandej prej fjalës tyros erdh fjala Tiranë — vend djathit. Edhè afer Lodi-t n’Italí âsht nji vend qi quhet Tirano i permendun per djathë e kështu edhè n’Ungeri nji vend tjetër qi thirret Tirana. Në fjaluer të Kalepinit quhet Tyropatina, nji tortë (amelcinë) e ngurtë si djathi e cilla perbâhet me tamel, miell e mjaltë në gjâsim t’asajë amelcinë qi bâjnë Tiranasit e Dibranët e qi shkojne tuj e shitë neper rruga tuj bertitë: terhan, terhan.
Në fjaluer të pergjithshem gjeografik — qi âsht 10 Blêjsh, i shtypun në Venedik vj. 1826 në shtypshkrojen Giuseppe Antonelli, lexohet se: Terran — Tiran — Tyran o tyranna, gjytet i Turkís europiane, kryevend Pashnije. Por Pasha i sajë banon jashtë gjytetit në nji kështjell rrethue me mure, brijave të cillit ngrehen pyrgje. Njehë 700 shpí drûni, etj.
Por t’a lâm emnin Tiranë e të vijojmë legjenden qi pershkruen Degrand-i: „Tuj mos pasë çka me bâ tjetër as per të vett as per Tiranë, Sylejman Pasha muer persrî rrugen e Persís kû vazhdote lufta. Plague në nji luftim, kje bajtë e çue në Bagdad kû edhè diq. Si mbas dishirit, trupi i tij kje balsmue e çue në Tiranë. Zembra e tij gjindet në Bagdad me nji qoshk kû lexohet ky n’shkrim: Këtû âsht vorri e zembra e trimit dhe e bujarit Barhime Zâdé Sylejman Pasha.“
„Trupi i tij gjindet në Tiranë në qoshk perbri xhamís së njoftun me emen Eski Xhami (Xhamija e vjeter). I biri, Ahmet Pasha (shikjo fig. 19) i ngrehi nji minare edhè nji çesme; Ahmet Pasha nip i ktij të mramit djal’ i Brahim Pashës, bâni me goditë nji qyng sa me ujitë gjytetin edhè fushen per-rreth. Rrethoj banen e vet „Kulla e Gjatë“ me mure jo mâ pak se m. 3½ trashë me m. 20 naltësi; në qander të sajë naltohej edhè nji kullë qi vijte m’u rrethue në rasë luftimi, zakon i marrun prej të gjitha familjeve të para në Shqypní në Kohë të Mesme. Kjo ndertesë e bukur, mâ vonë kje prishë e disá lulekra dritoresh zbukurojnë tesh dritoret e xhamís së motshme, qi xûeme në gojë sypri; prej pallatit s’kan teprue veçse dera e madhe e nji burg nen dhé.“
Permbyllja e Degrand-it duhet modifikue disi e caktue mâ mirë. Aj qi po shkruen kta rreshta, në Korrik të vjetës 1928, percjellë nga Zot. Njazi Beg Tirana hyête në shpin mâ të motshmen e gjytetit, në Pallat Presidencjal sot Pallat Mbretnuer kû kje pritë nga Zot. Enver Beg Libohova i brezit të Selim Pashë Tiranës e nga e âma bi Toptajsh e, me gjith se moti ishte i lig nuk la pa marrë me aparat të vetin fotografin e shpis e fotografin e të zotit të sajë (shikjo fig. 60), gjithashtu fotografoj edhè shpin tjetër perbri e quejtun „Kulla e Gjatë“ (shikjo fig. 61) t’Ahmet Pashë Tiranës qi ka mure shum të trasha e nji sallë të bukur, mâ e motshmja qi gjindet në Tiranë. Kjo shpí âsht tepricë e shpijave t’Esad Pashë Toptanit pshtue nga zjermi.
Ahmet Pasha; ishte fjalamel trupi i tij ishte i madh fort; e me nji fuqí të jashtzakonshme, shijimi i tij prrallues: diq prej pikës tuj lânë kater varza fort të vogla. E shoqja qi nuk ishte por e ama e atyne varzave, kje çue bashkë me to tu Sylejman Pasha i Peqinit me të cillin u martue pa vullndet të rajës së sajë të cillët u çuene e u futne në kështjell natën, e shtrenguene Pashen me hikë. E shoqja, frigjue, disá dit mbas hikës së tij, hiku edhè ajo tu të vett në Shkoder tuj marrë me vedi të gjith gjanat e arit qi mujt me marrë.
Agallarët e shpis tuj drashtë mos të ndollin ngatresa, u munduene m’u miqsue me ndo’i familje të madhe prandej i u suellen Kaplan Pashës per të cillin kena me folë mâ andej tuj e lutë të merrte per kater djel të vet kater varzat e Ahmet Pashës. Me i u bashkue sundimit të tyne pasuni aq me randësi, per trashigimtarët e themeluesit të Tiranës, ishte punë e madhe gjâ qi perkonte me shpirtin e famijes Toptani. Kater martesët kjene kremtue me të madh lulzim e në vj. 1798, shpija e Toptajve erdh e nguli në Tiranë. T’i vêhet shêj mirë datës në të cillen Toptajt erdhne në Tiranë. Per ket familje e per rrjedhen e sajë kemi me folë mâ andej.)


[*) Difton Zot. Njazi Beg Tirana se Adem Agë Toptani † 1780, ka dekë perpara se të vite në Tiranë familja e Toptajve. Mbi rrasen e vorrit t’Adem Agës, lexohen kto fjalë: «Adem Agë Toptani i biri i Ibrahim Agës djalit të mram t’Ali Beut». Ky dokument, pa dyshim, qe me pá se familja e bajte ket emen perpara se të birt e Kaplan Pashës të merrshin bijat e Ahmet Pashë Tiranës.]
Bashkimi i kësaj martese katërshe do të delte i rrezikshem, tuj ndjellë edhè mâ mnin e inatin qi kishin kundra kryetarit per me i qitë kundershtime të reja.
Sundimtari i Shkodrës, Ibrahim Pasha, filloj mizorit. Gjini sikurse ishte me kater nuset, kishte shpresue se ato do t’i kishin me ardhë tuk aj si vjeherr qi ishte e se do të kishte administrimin e pasunive të mdhaja të tyne. Idhnue si pat marrë vesht se Kaplan Pasha me i dalë punës perpara, kishte ngulë në Tiranë, u vûe në krye t’aradheve të veta qi mujt me mbledhë e u drejtue me hapa të shpejtë kah Tirana. Mbrri në Lapracë, vend jo fort larg, kje prekë në vesh prej nji kandrre: me gjith dhimë qi ndiete, hŷni në gjytet e diq (1799) ndërsa ushtarët ishin dhanë me qitë në tokë deren e madhe të kështjellit.
Deka e tij, në vend me fashitë punë i bâni mâ t’egjer; të msyemit kje i mndershem, Kaplan Pasha u mundue me i a ndalue turrin por kot; mbasi s’mujt me qindrue hiku në Krue. Të bjerrunt e Tiranës ishte të bjerrun i randë per lakmin të tij. Dergoj të birin Sylejmanin në Janinë i cilli xuer prej Ali Pashë Tepelenës nji trup të vogel ushtarësh, me të cillët mujt me shti në dorë persrî pasunit e veta.
Si kthej në Tiranë, në sajë të fuqís së familjes së vet, mujt me jetue qetsisht por, shpirti i tij trubullues e shtyni nder aventura tjera. Tuj pasë marrë vesht se Jusuf Begi i Dibrës lidhë me Sundimtarin e Shkodrës, mendote me i rá Matit, aj u bâ me këta e, msyni Dibren prej kah kje xjerrë dhunisht e n’e hikun i u desht me ra neper Qer e Strugë per me mbrrî në Tiranë.
Aj ishte nji nder ata qi s’bluejnë tjetër në mende të tyne veç ahmarrje e gjak: karakteri i tij luftár i kish pertrî anmiq shum, sa mos m’e lânë me jetue qetsisht. Per sa ndej në Krue, i erdh n’at gjytet nji dervish Begtashí, emnit Sheh Mimi, i cilli u ndal aty i quem, thonë, prej Ali Pashë Tepelenës, qi perkrahte at sektë. Ky sheh mbrrijti me propagandë të rrebtë të veten me e rritë me nji herë numrin e besimtarve, të cillët bâheshin ndihmë e çmueshme per Ali Pashen, per Kaplanin e besidhunt e tyne.
Në vj. 1807 ky sheh ngrehi në Krue nji teqe kû xûe vend bashkë me dervishat e vet.
Pak ka-pak krenija e tij xû me rá: ndoshta ishte këndë shitë sundimtarit të Shkodrës? Por, si mundet m’u thanë per pa pasun provna? Me gjith këtë filloj me shkue keq me Kaplanin e partizanët e Toptajve: influenca besimtare e tija e bâte kundershtar fort të rrezikshem prandej Kapllani tuj u pá vetin në zgripe i çoj fjalë me i kputë drejtë e lojrat e me dalë prej gjytetit. Shehi qi e muer vesht se ish diktue, e tuj e pá rrezikun e situatës të vet, detyroj njenin nder dervisha të vet m’e shkapullue prej sundimtarit të Kruës.
Ky rregulltar hŷni në kështjell; ishte ditë e xêtë e ditë e ramë; agallarët e sherbtorët flêjshin. Kapllan Pasha qi porsë kotej në nji salë, u zgjue prej zhurmës qi bâni rregulltari dhe e pyeti çka dote; pa i u pergjegjë, ky i paraqiti nji leter të Shehit; tuj e pá atëherë Pashen kthellue në leximin e asajë leter, xuer nga petku i vet nji tepér (nji soj jataganit me dy teha) e matej me i a ngulë, kúr Kapllani qi pá levizjen e tij hoq pistolen edhè e mbyti me nji të shtime. Në krizem të pushkës ngane dy agallarë e páne zotnin e vet me pushkë në dorë qi e kish mblue tymi: „trathtarë jeni, u bertiti, keni lânë me hŷe ket qên e bir qênit que prej Baba-hit per me më mbytë: në mos daçi me jau bâ edhè jú kështu, gjêni kryetarin t’uej e shkoni shpejt tu aj per-ndryshej ju kam mbytë.“
Dy agallarët, nder të cillët njeni quhej Beqir Ali, mbasi muerne me vedi edhè tre vetë tjerë, u mshehne në teqe dy orë mbas mjesditet; dera e qelís së Shehit ishte çilë, aj po lexote, kúr u rrxue me dy plumba qi i ráne. Familjet e këtyne gjaksorve, thotë Degrand-i, janë endè (1901) e jetojnë teper vorfnisht. Dy mbytjet pertrîne paknaqësi në popull të Krues i cilli shkote gati krejt me at sektë, prandej Kaplan Pasha dau me xânë vend në Tiranë.
Lajmue se njeni nder dhandurrë të tij, Ibrahim Begu i Kavajës, qi ishte beqtashí, kishte permedue se dote me ahmarrë deken e Shehit, e grishi afer vedit e, pá keqyrë gjiní e ligjë perbûjtje, e burgosi në kështjell të Krues e bâni per vedi pasunit e tija.
E bija qi gjindej në Kavajë, i dergoj nji leter per qehajen e sajë tuj lypë të falun per të shoqin. Nsa ishin tuj kuvendue, i derguemi xuer prej xhepi nji kutí burrnoti me dy pár fundna, e çili, muer nji hundë-burrnot e e tëhoq me aq andje sa Kapllan Pasha qi e pite edhè aj burrnotin, e kundroj me çudí. „Më duket se paske burrnot të mirë!“ Une, pergjegji tjetri, kujtoj se kurrkush s’e ká mâ të mirë, e tuj sjellë me mjeshtirí fundin e kutís i a qiti para t’urdhnote me marrë (burrnot t’helmatisun). Kishte dalë prej kështjellit kúr Pashen e kapne dhima të fórta në krye e të pështjellët e diq shi n’at natë, vj. 1816. N’e nesre, pa ague drita mirë, perpara se të merrej vesht, nji qerre me dy buej, bajte trupin e tij t’errët e të pa-pushim, në pushim të përjetshëm.
I biri, Abdyl Rahman Begu, u bâ kryetari i shpis e desht me ahmarrë t’an prandej urdhnoj me prishë Kavajen e me i dhanë deken Brahim Begut, i cilli hiku e lypi mndoren e sundimtarit të Shkodrës i cilli e pranoj me shart qi me msyë bashkë me të Tiranën. Lufta ngjati pesë muej e gjyteti kje rrenue; partizanët e Toptajve disá kjene mbytë e kështjellet e tyne djegë. Edhè pse thye, Abdyl Rahman Begu, s’e buer shpresen e vazhdoj në qindresë. Xuer fëmijt e i çoj në Krue por mbasi ndima qi pritte s’i erdh, u drodh në Mat.
Gjith-shka pat mbetë në kështjell kje perdá prej gjinove të Shkodrës, permbi të cillen gjâ sundimtari kishte lânë si administratuer nji prej gjinís së vet, Haxhi Etëhem Begun e Muletit qi muer drejtimin e ktij çiflliku të hapët. Por nuk gzoj shum n’at kambë pse në vj. 1820 persí pat mbarue xhamin qi bán emnin e tij, Abdyl Rahman Begu me ndihmë të gjith atyne partizanve qi mujt me mbledhë e xuer prej Tirane e hŷni persrî në sundim të zotnive të vet.
Lufta me Shkoder e Kavajën ngjati edhè disá vjet pá ndonji rezultat. Sundimtari i Shkodrës kje gjikue per dekë (firmanlí) prej Sulltan Mahmudit e Abdyl Rahman Begu bashkë me të vetët u fut nder arat dhe mberthone qi rrethojshin Shkodren.
Sa per Brahim Begun e Kavajës, ky kje xânë per urdhen të Sulltanit e gjâja e tij kje konfiskue, por të birt muerne nga arka mbretnore, deri në vj. 1901, e per mâ vonë nuk e dijmë, 3000 grosh në muej d. m. th. 6700 fr. ari në vjetë. Brahimi mandej, kje çue në mergim në Kutace n’Anadoll, prej kah mujt me hikë; nisë me nji barkë diq në pak orë, si duket, i helmatisun ... [sic.] /Telegrafi/



































