Prokuroria e Fierit ka zbardhur skemën e dyshuar të tjetërsimit të 44.100 metrave katrorë tokë shtetërore në fshatin Povelçë, e cila më pas është shitur për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër persona: Arben Voja, ish-drejtor i Kadastrës së Fierit dhe aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit; Dilaver Shyti, ish-kryetar i njësisë administrative; Fjorelo Bida, specialist jurist në Kadastrën e Fierit; dhe Anila Haxhiu, notere me zyrë në Fier.
Ndërsa për Arbina Jaupajn, ish-specialiste hartografe në Kadastrën e Fierit, është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjithashtu, është vendosur sekuestro mbi tokën prej 44.100 metrash katrorë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, çështja nisi pas kallëzimit të një qytetari, i cili pretendoi se një sipërfaqe toke në fshatin Povelçë ishte tjetërsuar në emër të familjes së tij pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.
Nga verifikimet rezultoi dyshimi se toka, e regjistruar fillimisht si pronë shtetërore në Librin e Ngastrave, ishte kaluar në pronësi private përmes një zinxhiri dokumentesh me përmbajtje të rreme. Konkretisht, dyshohet se është përdorur një certifikatë pronësie e vitit 2007, që i përkiste një sipërfaqeje tjetër prej 4 mijë metrash katrorë, si dhe një kartelë pasurie me ndërhyrje fizike, mbishkrime dhe fshirje.
Prokuroria bën me dije se pronësia është regjistruar në emër të familjes së kallëzuesit duke përdorur referencat kadastrale të një prone tjetër të tij. Për sipërfaqen prej 44.100 metrash katrorë nuk ekzistonte asnjë titull pronësie dhe në dosjen e regjistrimit nuk ishte gjetur asnjë aplikim.
Dyshime për falsifikim ka edhe mbi dy prokura noteriale. Sipas hetimeve, megjithëse dokumentet vërtetonin se personat e përfaqësuar ishin paraqitur personalisht para noteres, nënshkrimet dyshohet se ishin marrë në fletë të bardha, pa përmbajtje. Madje, njëra prej personave të përfaqësuar ndodhej jashtë Shqipërisë në datën kur ishte hartuar prokura.
Kartela e rifreskuar e pasurisë dhe fragmenti i hartës kadastrale janë lëshuar më 25 janar 2023, vetëm pesë ditë përpara kontratës së shitjes. Më pas, më 30 janar 2023, toka iu shit personave të tretë për shumën 88.200 euro, me qëllim ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Sipas Prokurorisë, Dilaver Shyti, në cilësinë e përfaqësuesit me prokurë të familjes shitëse, dyshohet se kishte gjetur blerësin, kishte përcaktuar çmimin dhe kishte nënshkruar kontratën në emër të shitësve, pa dijeninë e tyre. Shuma prej 88.200 eurosh kaloi në llogarinë e tij bankare dhe nuk iu dorëzua familjes.
Kalimi i pronësisë u regjistrua në Kadastrën e Fierit më 14 shkurt 2023, pa u kryer verifikimet e detyrueshme për titullin e pronësisë dhe përputhjen e shitësve me pronarët e regjistruar në kartelë.
Një tjetër detaj i zbardhur nga hetimi është se, pas depozitimit të kallëzimit, Dilaver Shyti dyshohet se u ka dorëzuar personave të dëmtuar 15 mijë euro në para në dorë, me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
Ndërkohë, në banesën e Arben Vojës, ish-drejtorit të Kadastrës dhe aktualisht drejtor i Spitalit Rajonal të Fierit, janë gjetur shtatë zarfe me para, të vendosura brenda një sirtari të mbyllur me çelës. Në zarfe ishin shënuar emra dhe mbishkrime të ndryshme.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar gjithsej 31.720 euro, 608 mijë lekë, 5 mijë korona norvegjeze dhe 1.400 dollarë kanadezë. Në të njëjtën dhomë janë gjetur edhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 55 fishekë arme gjahu.
Për Arben Vojën, Prokuroria dyshon për falsifikim dokumentesh nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Dilaver Shyti hetohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Fjorelo Bida dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.
Për Arbina Jaupajn, akuza është shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim.
Në përfundim të njoftimit, Prokuroria bën me dije se nga hetimet kanë rezultuar dyshime se e njëjta mënyrë veprimi është përdorur edhe për tjetërsimin e pronave të tjera shtetërore. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rastin dhe identifikuar të gjithë personat e përfshirë.












