Pas anulimit të dy tenderëve për check-up-in dhe hemodializën, me fonde përkatësisht 17.8 milionë dhe 49.5 milionë euro, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore (OSHISH) ka hapur kete te premte një procedurë të re prej 8 milionë eurosh për blerjen e reagentëve dhe materialeve mjekësore për të dy shërbimet. Tenderi i ri, me fond limit 726.1 milionë lekë, pa TVSH, parashikon furnizime për 12 muaj dhe mbulon kryesisht analizat laboratorike të programit kombëtar të kontrollit mjekësor bazë (check-up), si dhe materiale të caktuara për hemodializën.
Procedura pason tenderin e shtatorit, me fond 1.64 miliardë lekë, për furnizimin me reagentë dhe materiale mjekësore për check-up-in. Kontrata e mëparshme ishte parashikuar për tre vjet, ndërsa e reja është kufizuar në një vit dhe përfshin më shumë kategori furnizimesh.
Në terma vjetorë, fondi i parashikuar është rritur nga rreth 545 milionë lekë në 726 milionë lekë. Më herët, në gusht, ishte shpallur edhe tenderi prej 49.5 milionë eurosh për ofrimin e hemodializës në pesë spitale rajonale, me kohëzgjatje katërvjeçare. Sipas dokumenteve të asaj procedure, shërbimi parashikohej të niste pas përfundimit të kontratës ekzistuese koncesionare, të planifikuar për fundin e tetorit 2026. Ky shërbim ka filluar tashmë të ofrohet nga shteti.
Nga dokumentet e specifikimeve teknike rezulton qe tenderi i nëntorit nuk përfshin ofrimin e plotë të hemodializës, por vetem disa furnizime me materiale mjekësore, përfshirë filtra uji për realizimin e analizave dhe mbështetjen e këtij shërbimi. Nga fondi i ri, pjesa më e madhe është parashikuar për reagentët laboratorikë, ndërsa 132.6 milionë lekë janë caktuar për materiale mjekësore të check-up-it dhe 44.7 milionë lekë për teste diagnostike të gjakut okult. Prokurimi është ndarë në nëntë lote dhe do të realizohet përmes një marrëveshjeje kuadër me nga një operator fitues për secilin lot. Afati i paraqitjes së ofertave është 14 dhjetori 2026. Monitor












