“Kam zbatuar ligjin”-kështu ka deklaruar para hetuesit të byrosë kombëtare të hetimit në SPAK sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Financave Gentian Këri, kur është pyetur për çështjen e pagave të magjistratëve. Zyrtari u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme dy muaj pas kallëzimit të magjistratëve për shpërdorim detyre, pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës dhe mosekzekutim të vendimeve të gjykatës pa shkaqe të përligjura. Ai ka urdhëruar përmes postës elektronike përgjegjësit e degëve të thesarit në vend që të mos kalojnë pagat për punonjësit e drejtësisë. Lidhur me pretendimin e një drejtoreshe të degës së Thesarit, e cila ka dëshmuar në SPAK se është kërcënuar prej tij, sekretari i Përgjithshëm është shprehur se i kishte tërhequr vëmendjen zyrtares, pasi ajo nuk kishte zbatuar ligjin.