13 nëntori 2026, çfarë parashikonte teoria e 66 viteve më parë për fundin e botës?

13 Nëntor 2026 | 14:32

Data 13 nëntor 2026 ishte përcaktuar 66 vjet më parë si momenti kur njerëzimi mund të përballej me një katastrofë për shkak të mbipopullimit të Tokës, shkruan The Independent.

Parashikimi ishte publikuar më 1960 në revistën prestigjioze shkencore “Science”, nga studiuesit Heinz von Foerster, Patricia M. Mora dhe Lawrence W. Amiot.

Në studimin me titull “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026”, shkencëtarët kishin analizuar të dhënat historike të popullsisë botërore gjatë rreth 2,000 vjetëve.

Modeli i tyre matematikor sugjeronte se popullsia po rritej me ritme gjithnjë e më të shpejta dhe se, nëse kjo prirje vazhdonte pa ndryshime, numri i njerëzve do t’i afrohej matematikisht pafundësisë më 13 nëntor 2026.

Megjithatë, ky nuk ishte një parashikim për shkatërrimin fizik të planetit, por një paralajmërim provokues për pasojat e rritjes së pakontrolluar të popullsisë.

Për disa dekada, modeli rezultoi çuditërisht i përafërt me zhvillimet reale demografike.

Por, nga fillimi i viteve 1990, rritja e popullsisë botërore nisi të devijonte ndjeshëm nga parashikimi.

Rënia e lindshmërisë, ndryshimet shoqërore dhe zhvillimi ekonomik ndikuan që ritmi i shtimit të popullsisë të ngadalësohej.

Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore pritet të arrijë kulmin prej rreth 10.3 miliardë banorësh në mesin e viteve 2080, përpara se të fillojë një rënie graduale.

Studiuesit që kanë analizuar këtë parashikim theksojnë se rasti dëshmon kufizimet e modeleve matematikore kur ato përdoren për të parashikuar zhvillime shoqërore gjatë periudhave shumë të gjata.

Kështu, 13 nëntori 2026 mbetet një datë simbolike në historinë e parashikimeve shkencore, duke treguar se edhe modelet e mbështetura në të dhëna historike mund të dështojnë kur ndryshojnë sjelljet njerëzore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shpërthen makina në Moskë, plagoset ish-ndihmësi i kryeministrit pro-rus të Ukrainës

Një shpërthim me bombë në një automjet në Moskë ka lënë të plagosur Sergei Zavorotniy, ish-ndihmës i një prej ish-kryeministrave pro-rusë të Ukrainës, Mykola Azarov....
15:59 | 13/11/2026

Microsoft njofton përmirësim të shërbimeve pas ndërprerjes globale, miliona përdorues 18 orë pa akses

Microsoft ka njoftuar se po shënon përparim në rikthimin e shërbimeve pas një ndërprerjeje të madhe globale, e cila la miliona përdorues në mbarë botën...
15:48 | 13/11/2026

Dështon tentativa për uljen e avionit në Angli, bishti prek pistën e Heathrow (VIDEO)

Një avion i kompanisë ajrore British Airways është filmuar teksa bishti i tij godet pistën gjatë përpjekjes për t’u ulur në aeroportin Heathrow të Londrës,...
15:26 | 13/11/2026