Moti do të vijojë të jetë i paqëndrueshëm gjatë fundjavës në të gjithë qytetet e vendit, me vranësira dhe reshje shiu, ndërsa në disa zona priten edhe shtrëngata afatshkurtra të shoqëruara me shkarkesa elektrike.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike do të vijojë edhe në fillim të javës së ardhshme, me reshje në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas parashikimit meteorologjik, dita e shtunë do të karakterizohet nga vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me intervale të herëpashershme kthjellimesh. Reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të nisin që në orët e para të ditës, por e diela do të jetë ndryshe.
Temperaturat nuk pritet të pësojnë ndryshime të ndjeshme gjatë fundjavës, duke luhatur nga 8 deri në 22 gradë Celsius.
“Për fundjavën do të vijojë të jetë paqëndrueshmëria e kushteve atmosferike, kryesisht ditën e shtunë, ku moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, por nuk do të përjashtohen edhe alternime kthjellimesh të herëpashershme. Reshjet e shiut me intensitet të ulët, në formën e shtrëngatave afatshkurtra, priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit e në vazhdim. Në zonën veriperëndimore, pjesërisht në qendër dhe lokalisht në jug, reshjet parashikohen të jenë me intensitet mesatar, në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Ulje të intensitetit të reshjeve priten pas orëve të mesditës, ku reshjet humbasin intensitet. Do të vijojnë të jenë me intensitet të ulët deri në orët e mbrëmjes, më pas pritet një ndërprerje e përkohshme e reshjeve të shiut, duke u rikthyer në ditën e diel pas orëve të mesditës me intensitet të ulët, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe më pas në pjesën tjetër të territorit.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut, me shpejtësi 8 metra për sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore era do të fitojë shpejtësi, herë pas here deri në 16 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës prej 2-4 ballë. Për sa u përket temperaturave, ato pritet të mos kenë ndryshime të ndjeshme dhe do të vijojnë të jenë 8-22 gradë Celsius.
Fillimi i javës dhe java në vijim do të vijojnë me përkeqësim të kushteve atmosferike, të cilat do të jenë të pranishme në vendin tonë, ku moti parashikohet të jetë me vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet kryesisht mesatar përgjatë gjithë territorit. Nuk do të mungojnë edhe shtrëngatat afatshkurtra në zonën veriore, veriperëndimore, pjesërisht në qendër dhe lokalisht në jug. Reshjet parashikohen të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike. Kjo do të jetë edhe për ditët në vijim. Nuk pritet intensitet i lartë, por herë pas here reshjet do të jenë me intensitet të ulët.
Era do të vijojë të fryjë nga kuadrati i jugut, me shpejtësi 8 metra për sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e zonave luginore do të fitojë shpejtësi deri në 16 metra për sekondë, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-4 ballë.
Për sa u përket temperaturave, ato nuk do të pësojnë luhatje të ndjeshme dhe do të jenë në vlerat 9-24 gradë Celsius”, tha Elida Maloçali-sinoptikane SHMU.










