Kombëtarja shqiptare do të luajë të dielën ndaj Bjellorusisë, në sfidën përmbyllëse të Nations League, një ndeshje kjo ku në lojë është vendi i parë në grup. Ajo që do të luhet në Hungari do të gjykohet nga një klasë arbitrare kroate me gjyqtar kryesor, Igor Pajac.
41 vjeçari nuk e ka arbitruar kurrë një ndeshje të skuadrës sonë kuqezi, por ka vendosur drejtësi në një ndeshje të klubeve shqiptare dhe bëhet fjalë për ndeshjen kualifikuese të Ligës së kampioneve në sezonin 2018-19 mes Kukësit dhe Vallettas e mbyllur me barazimin 1-1.
Gjatë këtij sezoni, Pajac ka gjykuar 11 ndeshje në të gjitha kompeticionet duke dhënë 35 kartonë rë verdhë, 1 të kuq dhe dy penallti. Në kompeticionet evropiane në sezonin aktual ai ka arbitruar ndeshjen mes Lens dhe Sporting Lisbonë(0-2) në Ligën e Kampioneve, Rennes-Olympiacos(0-0) në Europa League dhe Ukrainë-Hungari(1-2) në Nations League
Në sfidën mes Bjellorusisë dhe Kombëtares shqiptare, Pajac do të ndihmohet nga asistentët e tij, Bojan Zobenica dhe Ivan Mihalj. Arbitër i katërt do të jetë Patrik Pavlesic, ndërsa përsa i përket sallës VAR, arbitër kryesor do të jetë Mario Zebec, kurse asistent është caktuar të jetë Fran Jovic.