Shpërthim i fuqishëm në Moskë, plagoset rëndë ish-zëdhënësi i kryeministrit ukrainas pro-rus
Një parashikim shkencor i publikuar 66 vite më parë ka rikthyer vëmendjen në rrjetet sociale, pasi përcaktonte 13 nëntorin 2026 si datën kur njerëzimi do të arrinte në një pikë kritike, për shkak të rritjes së pakontrolluar të popullsisë botërore.
Teoria u publikua në nëntor të vitit 1960 në revistën shkencore “Science”, nga fizikani dhe kibernetisti Heinz von Foerster dhe studiuesit Patricia Mora dhe Lawrence Amiot, të Universitetit të Illinoisit.
Në artikullin me titull “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026” (Dita e Gjykimit: E premte, 13 nëntor 2026), autorët analizuan të dhënat historike të popullsisë botërore, nga viti 400 para Krishtit deri në vitin 1958.
Sipas llogaritjeve të tyre, popullsia e Tokës po rritej me ritme gjithnjë e më të shpejta. Nëse kjo prirje do të vazhdonte pa ndryshime, modeli matematikor parashikonte se më 13 nëntor 2026 do të arrihej një pikë e quajtur singularitet, ku numri i banorëve do të bëhej teorikisht i pafundëm. Ky skenar nënkuptonte një situatë të pamundur për t’u përballuar, për shkak të kufizimit të hapësirës dhe burimeve natyrore.
Megjithatë, data nuk ishte zgjedhur rastësisht. 13 nëntori ishte ditëlindja e vetë von Foerster dhe studiuesit vunë re se në vitin 2026 ajo do të binte të premten, duke krijuar një kombinim simbolik që në kulturën anglosaksone lidhet me tersin.
Pavarësisht titullit alarmues, studimi nuk synonte të parashikonte një katastrofë të mirëfilltë apo zhdukjen fizike të njerëzimit. Ai shërbente si një paralajmërim për pamundësinë e vazhdimit të një rritjeje demografike të pakufizuar.
Në fakt, parashikimi rezultoi i tejkaluar nga zhvillimet demografike. Që nga vitet 1970, ritmi i rritjes së popullsisë botërore nisi të ngadalësohej ndjeshëm, ndërsa në shumë vende u regjistrua rënie e numrit të lindjeve.
Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore, e cila aktualisht vlerësohet në rreth 8,2 miliardë banorë, pritet të vazhdojë të rritet edhe për disa dekada, duke arritur kulmin në rreth 10,3 miliardë banorë në mesin e viteve 2080. Më pas parashikohet një rënie graduale.
Kështu, 13 nëntori 2026 nuk përbën fundin e parashikuar të njerëzimit. Teoria e vitit 1960 mbetet një shembull se si modelet matematikore mund të japin rezultate të gabuara kur bazohen në supozimin se një prirje do të vazhdojë përgjithmonë, pa marrë parasysh ndryshimet që ndodhin në shoqëri.
Megjithatë, çështja që studiuesit ngritën më shumë se gjashtë dekada më parë mbetet aktuale: si mund të sigurohet një ekuilibër mes rritjes së popullsisë, burimeve natyrore dhe qëndrueshmërisë së planetit?
Top Channel