Kanye West po përballet me një tjetër padi gjyqësore, këtë herë nga muzikanti Chase Taylor, i cili e akuzon se e mbajti të mbyllur dhe e detyroi të punonte në kushte të vështira gjatë realizimit të operës “Nebuchadnezzar”. Kjo është vetëm një nga disa çështjet ligjore që kanë shoqëruar reperin amerikan, i cili ndër vite është përballur edhe me akuza për ngacmim seksual, diskriminim, shkelje të të drejtave të autorit dhe keqtrajtim të punonjësve.

Sipas padisë, Taylor ishte rekrutuar për një rol kryesor në një vepër që i ishte prezantuar si e përfunduar. Por pas mbërritjes nga Karolina e Veriut, ai pretendon se zbuloi se opera nuk ishte shkruar ende. Përveç interpretimit, iu kërkua të kompozonte muzikën dhe ta përgatiste produksionin për skenë në një kohë rekord.

Muzikanti pretendon se dyert u mbyllën dhe kërkesat e tij për ushqim, ujë dhe pushim u injoruan. Sipas tij, edhe më shumë se 150 interpretues të tjerë punonin në kushte të vështira, duke u detyruar të pushonin dhe të flinin në dyshemenë e dhomës.

Kjo është padia e dytë e ngjashme që lidhet me operën, pasi edhe muzikanti Willie Alexander ka akuzuar West se e kishte detyruar të kompozonte veprën pothuajse nga e para, ndonëse i ishte premtuar një produksion i përfunduar. Ndërkohë në një proces tjetër, Kanye West ka paguar 1.35 milionë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive të ngritur nga qindra punonjës dhe interpretues të përfshirë në të njëjtin produksion.

Në padinë e re, Taylor pretendon gjithashtu se kompozimet e tij janë përdorur pa leje në këngën “Telekinesis” të Travis Scott dhe në disa këngë të albumit “Vultures 2”, pa marrë pagesën apo kreditimin e premtuar.

Ai kërkon njohjen e të drejtave të autorësisë dhe dëmshpërblim për mashtrim dhe privim të paligjshëm të lirisë.