Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Milosao Palushi, ka kritikuar qeverinë e Edi Ramës për shpopullimin e Kukësit dhe situatën e arsimit në këtë qark. Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e “Ripërtëritjes” në Kukës, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, Palushi u shpreh se largimi i të rinjve ka prekur çdo familje, ndërsa fshatrat po braktisen dhe shkollat po boshatisen.
Palushi tha se Kukësi nuk e ka më gjallërinë e dikurshme dhe se në disa klasa kanë mbetur vetëm pesë apo gjashtë nxënës. Sipas tij, shkollat e ndërtuara gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, në vitet 2005-2013, janë lënë në harresë nga qeveria aktuale.
Fjala e Milosao Palushit:
Përshëndetje, xhentëlmenë të Partisë Demokratike!
Fort të nderuar qytetarë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës! I nderuar dhe i respektuar doktor Sali Berisha!
Është tepër i rëndësishëm takimi ynë i sotëm me doktor Berishën, një komunikim i ngrohtë me të, si dhe një vazhdimësi e përhershme me bazën e Partisë Demokratike.
Kukësi, doktor, është qytet i vlerave. Dhe këto vlera përtërihen vazhdimisht prej qytetarëve të tij. Por, fatkeqësisht, shpopullimi nga të rinjtë e ka dëmtuar shumë këtë qytet. Një shpopullim i frikshëm dhe i vazhdueshëm, që ka prekur çdo familje në qarkun tonë. Dhe qeveria e Ramës hesht, hesht, sikur ta ketë prioritetin kryesor këtë shpopullim.
Kukësi nuk e ka më zhurmën e dikurshme, pamjen e dikurshme. Nëpër fshatra ka shtëpi të braktisura. Arat që nuk punohen. Shkollat pothuajse janë boshatisur. Nëpër klasa maksimumi gjeni pesë apo gjashtë nxënës. Dhe janë po ato shkolla të cilat janë ndërtuar në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, 2005-2013. Në vazhdimësi, ato u lanë në harresë nga qeveria e Ramës.
Arsimi nuk ka dituri, nuk ka zhvillim të vendit dhe vendi mbetet gjithmonë pa natyrë e ardhmërie. Dhe qeveria e Ramës e ka anashkaluar krejt arsimin. Edhe protestat e studentëve zënë fill pikërisht në këtë çështje, në mungesat e mëdha që ka kjo fushë.
Prandaj, e gjithë furia e sotme që po ndodh është kundër Ramës. E tani, të nderuar, nuk ka mbetur asnjë gjë tjetër, përveçse të dalë Rama kundër Ramës, pra Rama kundër vetvetes.
Rama shpeshherë thotë për bashkëpunëtorët e vet, që i ka të burgosur, se ata hanë kumbulla pas shpinës së tij. Por, burra, më tregoni një gjë: Rama a e di që ai ka ngrënë kumbulla pas shpinës së popullit edhe pas shpinës sonë?
Rama, siç e ka zakon kur çohet në mëngjes, ai nuk e sheh qiellin si ne. Ai sheh majat e kullave të larta. Dhe këto kulla i duken më të larta se qielli. A e dini pse? Sepse në ato kulla e kanë ndërtuar pasurinë e vet dhe pasurinë e bashkëpunëtorëve të vet.
Dhe në Shqipëri kriza vazhdon. Rrotullohet e rrotullohet. Si kriza në politikë, kriza ekonomike, kriza morale dhe, më e dukshmja, kriza në arsim. Dhe në këtë Shqipërinë e rrëmujshme ku ne jetojmë, Rama na shfaqet si kryeministër i jashtëm. Si një kryeministër që s'do t'ia dijë për vendin e vet. Dhe kryeministrat e brendshëm janë Belinda Balluku, Taulant Balla, Niko Peleshi, Olsi, bandat dhe, kryesorja, vjedhja.
A e keni vënë re kur e shikoni një fëmijë duke vrapuar dhe e pyesni se ku po shkon? Ai thotë: ‘Po shkoj me ble’. Po ta pyesni një rilindas se ku po shkon, ai thotë: ‘Po shkoj me vjedh’.
Prandaj ka arritur vendi ynë në këtë gjendje. Dhe prandaj ne, në çdo moment, duhet të themi të vërtetën pa u menduar.
Liria, fatkeqësisht, është e mungueshme. Mungon këtu, mungon atje, mungon në katër cepat. Dhe në katër cepat na dalin shumë pika dhe mbi këto pika na dalin patronazhistët, që vrapojnë për t'u rrëmbyer lirinë të tjerëve. Dhe në fund dalin si triumfatorë dhe u thonë shefave të tyre: ‘Shef, e kryva detyrën’.
Dhe prandaj të rinjtë revoltohen. Të rinjtë bllokojnë rrugët. Të rinjtë po i ngujuan universitetet. Sepse në Shqipëri, fatkeqësisht, padrejtësia ka zënë vend.
Të nderuar demokratë!
Shpërfillja ndaj mizorisë për ne është rreshtuar në anën e të shtypurve. E detyra jonë kryesore është t'i dalim zot njëri-tjetrit dhe t'i dalim përkrah njëri-tjetrit.
Unë dua ta mbyll me një thënie të shkrimtarit Ndre Mjeda. Ai thotë: ‘Lirim, lirim bërtet gjithkah Malësia’.
E këtë shprehje ne duhet ta marrim dhe ta kthejmë në trajtën e sotme:
Lirim, lirim bërtet gjithkah Shqipëria!
Lirim ndaj korrupsionit! Lirim ndaj vjedhjes! Lirim ndaj bandave! Lirim nga qeveria e Ramës! Dhe kryesorja, që është qershia mbi tortë: lirim nga Edi Rama dhe nga Edi Ramësat!
Zoti ju ruajtë, Zoti ju bekoftë të gjithëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Edhe shumë faleminderit!
© SYRI.net
Foltorja në Kukës/ Dema: Rama po e zbraz Kukësin, PD synon t’i japë fund keqqeverisjes dhe të fitojë Bashkinë në 2027
Muçollari: Rama e ka kthyer Parlamentin në një tufë kartonash, dorëheqja e tij është e vetmja zgjidhje
Hetimet ndaj Irena Gjokës/ Vasili: SPAK procedon me porosi politike, rrënimi i shtetit ligjor