Reshjet intensive të shiut dhe stuhia kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor në zonën e Thethit, ku janë bllokuar akset Theth–Ndërlysaj dhe Prekal–Theth.
Për shkak të motit të keq, në disa segmente janë regjistruar rrëshqitje dherash dhe gurësh, duke e bërë të pamundur kalimin e automjeteve.
Ekipet dhe mjetet e punës ndodhen në terren dhe po ndërhyjnë për pastrimin e rrugëve dhe hapjen e segmenteve të bllokuara.
Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar dëmtime edhe në urën e fshatit Ndërlysaj. Ndërhyrja për riparimin e saj pritet të nisë pas përmirësimit të kushteve atmosferike.
Banorëve u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet në këto akse rrugore dhe të udhëtojnë vetëm në raste emergjente, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e tjera të gurëve dhe dherave.












