“Studentët po mobilizohen për protestën e radhës, ndërsa kërkojnë të kthehen në një forcë që sjell ndryshimin dhe zgjidhje për problematikat në vend”, kështu u shpreh studenti Emir Leçini në një intervistë për News24.

Leçini tha se në mesin e studentëve po krijohet një frymë e re mobilizimi, të cilën, sipas tij, nuk e kanë parë prej vitesh. Ai theksoi se synimi është që kjo energji dhe angazhim i studentëve të orientohet drejt kërkesave dhe objektivave konkrete, duke bërë thirrje për pjesëmarrjen e studentëve dhe qytetarëve në protestë.

Sa i përket organizimit, Leçini sqaroi se nuk ekziston një strukturë e centralizuar, por mobilizimi po zhvillohet në mënyrë organike, përmes komunikimit dhe rrjeteve të njohjeve mes studentëve.

Duke komentuar reagimin e policisë gjatë protestës, studenti e cilësoi të tepruar përdorimin e dhunës ndaj demonstruesve.

“Studentët duan të jenë energjia që të japë zgjidhje.  Sot është një frymë e re që nuk e kemi pasur këto 13 vite, apo as 36 vite. Studentët janë energjia drejt zgjidhjes. Ajo që na intereson është që pastërtia e studentëve të orientohet në drejtimin e duhur. Nëse është organizuar protesta…presim studentë dhe qytetarë të bashkohen. Nuk ka një strukturë , por është diçka organike vazhdon të jetë një organizim ku secili komunikon me atë që njeh. Dhuna në protestë ka qenë e tepruar. Policia ndryshoi metodën dhe nisi me gjobat. Por ne nuk trembeni dhe do jemi aty deri në fund. Ajo që donte Rama të arrinte, nuk është arrit sepse ne jemi aty në shesh”, tha ai.

Sipas tij, më pas policia ndryshoi mënyrën e reagimit, duke përdorur edhe gjobat ndaj protestuesve.

Ai shtoi se presioni ndaj protestuesve nuk ka arritur të ndalë mobilizimin dhe se studentët do të vijojnë të qëndrojnë në shesh.

“Duam të ndryshojë fytyra e politikës, duhen njerëz me integritet. Është momenti që të ketë ndryshim politik, partitë e vjetra nuk mund të frymëzojnë më. Sa kohë flasim për ndryshim e një klasë politike, çdo qytetar ka mundësinë t’i thotë dikujt që nuk e përfaqëson”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: