Policia Metropolitane e Londrës ka nisur hetimet pas marrjes së disa denoncimeve për vepra të dyshuara seksuale të ndodhura vite më parë. Aktori dhe komediani britanik i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka shkelur ligjin.
Aktori dhe shkrimtari britanik David Walliams po hetohet nga Policia Metropolitane e Londrës pas marrjes së disa akuzave për krime të rënda seksuale, të cilat dyshohet se kanë ndodhur vite më parë.
Policia bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit oficerët kanë marrë një numër denoncimesh që përfshijnë një burrë në të 50-at, ndërsa nuk ka konfirmuar publikisht identitetin e tij në njoftimin fillestar.
Sipas autoriteteve, këto akuza janë të ndara nga ato të publikuara më herët nga “ITN” dhe gazeta “The Guardian”. Megjithatë, hetuesit po shqyrtojnë edhe raportimet e këtyre mediave për të përcaktuar nëse ka prova që mund të përbëjnë vepra penale.
Walliams ka mohuar akuzat e publikuara në media.
“Unë nuk jam një grabitqar seksual. Nuk e kam shkelur ligjin”, është shprehur ai.
Superintendenti i Detektivëve, Mike Cagney, i cili drejton ekipin hetimor, u ka bërë thirrje personave që mund të kenë qenë viktima të krimeve seksuale të paraqiten pranë policisë, pavarësisht se kur kanë ndodhur ngjarjet.
“Ne do të inkurajonim këdo që ka qenë viktimë e një krimi seksual të paraqitet dhe të na flasë, pavarësisht se kur ka ndodhur”, deklaroi Cagney.
