
Nesër do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste. Avokati Spartak Ngjela flet për mundësinë e përjashtimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga partia, ku thotë se nuk ka një përplasje mes tij dhe Edi Ramës, ndërsa theksoi se akuzat ndaj kryebashkiakut vijnë nga SPAK-u dhe jo nga partia.
“Nuk jam fallxhor unë, por zor se mund të përjashtohet, sepse ata kanë shumicën në parlament. Nuk ka përplasje mes tyre. Njëri është i pandehur, ai është i akuzuar. Po të kishte përplasje, atë do ta kishin pushuar si kryetar bashkie. Ata e mbajnë kryetar bashkie në një kohë që ai është i akuzuar. Atë e akuzon SPAK-u, nuk e akuzon PS-ja. Është i akuzuar nga SPAK-u si kryetar i bashkisë. Çfarë hyn PS-ja këtu?”, u shpreh Ngjela.
Ngjela komentoi dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, në lidhje me propozimin e Partisë Demokratike për aplikimin e një sistemi proporcional në të gjithë Shqipërinë dhe lista të hapura. I pyetur nëse një ndryshim i tillë do të sillte pasoja për Partinë Socialiste, Ngjela u shpreh se PS-ja nuk do ta pranonte këtë propozim, pasi ka shumicën parlamentare.
