Të ftuar në puntatën e kësaj të hëne në podcastin “Pjaca”, në Media Radar dhe Pjaca Media, ishin Vjola Nova dhe Mariglen Çika.
“Mbi 2 milionë shikueshmëri, por nuk shitet, sepse nuk ka vlerën reale të tregut. Është mbivlerësuar”, tregojnë ata, duke shpjeguar se numri i lartë i shikimeve nuk mjafton për të bindur një blerës.
Sipas tyre, pronarët shpesh krijojnë pritshmëri të larta për çmimin, duke u bazuar te shitjet e fqinjëve, opinionet e familjarëve apo informacione jo gjithmonë të sakta për tregun.
“Gjëja e parë që bëjnë, më marrin mua në telefon: Vjola, ti do ma shesësh mua. Po nuk ta shes dot. Nuk bëj magji”, rrëfen Nova, duke theksuar se marketingu mund ta bëjë pronën të njohur, por nuk mund t’i japë asaj një vlerë që nuk e justifikon tregu.
Ajo shpjegon se vlerësimi duhet të nisë nga disa elemente konkrete: “Nisur nga lokacioni, nga orientimi, nga metrat katrorë, nga kubatura dhe nga të gjithë parametrat e tjerë, kjo prona juaj vlen kaq për zonën që është dhe për atë çfarë paraqet.”
Një shembull konkret ishte edhe një apartament në Durrës, pranë Muzeut, në një pallat të vjetër, në katin e katërt dhe pa ashensor. Pavarësisht shikueshmërisë së lartë të videos, prona nuk u shit menjëherë.
“U shit sepse u ul çmimi”, theksojnë ata, duke treguar se edhe një fushatë e suksesshme marketingu nuk mund të zëvendësojë një çmim realist.


